
Nga parashikimi ligjor te procedurat, si do të veprohet tani?
Gjykata Kushtetuese, për të parën herë në këto muaj, vendosi t’i bëjë ballë presionit të qeverisë. Pavarësisht se Edi Rama nisi përgatitjet për zgjedhjet në Tiranë dhe e shpalli madje fituese Ogerta Manastirliun, Kushtetuesja i pezulloi zgjedhjet deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Por çfarë ndodh pas marrjes së këtij vendimi? Kushtetuesja në vendimin e saj ka vendosur pezullimin e dekretit. Kjo do të thotë se KQZ nuk mund të nisë asnjë përgatitje për zgjedhjet në kryeqytet. Teksa për 5 bashkitë e tjera do të nisin procedurat për caktimin e bazës materiale, caktimin e komisionerëve, etj., për Tiranën nuk mund të bëhet asgjë pa dalë vendimi final.
Në këtë kuadër, çështja duhet trajtuar në dy aspekte: nëse Kushtetuesja e cilëson të drejtë shkarkimin e Veliajt dhe tjetra nëse rrëzon qeverinë dhe e lë Veliajn në detyrë.
Seanca e parë për rastin Veliaj do të mbahet në datën 31 tetor. Por nuk ka asnjë të dhënë se në këtë datë do të kemi vendim. Shanset që kjo mbledhje të shtyhet janë shumë të mëdha dhe është shumë e vështirë që Kushtetuesja të vendosë brenda ditës. Përgjithësisht Kushtetuesja ka marrë 1 muaj kohë. Po ashtu, zbardhja e vendimit do kohën e vet. Që një vendim të hyjë në fuqi duhet të botohet në Fletoren Zyrtare. Pra me pak fjalë, edhe sikur Kushtetuesja të lërë në fuqi shkarkimin e Veliajt, shanset për zgjedhje më 9 nëntor janë zero.
Nga ana tjetër, Kodi Zgjedhor e ka përcaktuar qartë, që Presidenti do të duhet të dalë me një dekret të ri. Pra brenda 48 orëve nga shpallja e vendimit, Begaj duhet të dalë me dekret dhe data duhet të jetë jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë. Pra që i bie nga dhjetori ose janari.
“Në rast të ndërprerjes së mandatit, për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit. Në rast ankimi të organit të shpërndarë ose të shkarkuar, zgjedhjet zhvillohen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga mbarimi i afatit që ka organi i shpërndarë për të ankimuar vendimin e Këshillit të Ministrave në Gjykatën Kushtetuese, kur kjo e drejtë nuk është ushtruar, ose data e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në rast se është ankuar në këtë gjykatë brenda afatit të nenit 115 pika 2 të Kushtetutës. Në çdo rast, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit”, thuhet në nenin 10.
Po ashtu, edhe sipas juristit Jordan Daci, shanset që të kemi zgjedhje më 9 nëntor janë zero. Gjithmonë nëse Kushtetuesja lë në fuqi shkarkimin. Pasi nëse ajo rrëzon vendimin e qeverisë, atëherë zgjedhjet e reja janë në vitin 2027. Ose mund të kemi zgjedhje të parakohshme vetëm nëse Veliaj dënohet me vendim të formës së prerë.
“Nuk mund të bëhen me datë 9 edhe nëse nuk pranohet kërkesa e zotit Veliajt. Sot KQZ nuk mund të bëjë asgjë dhe as mund të presë fletët e votimit. Po themi që pranohet ankimi i Veliajt do të kishin shpërdorim detyre, do të duhet të paguanin qytetarët për diçka që nuk bëhet. Ngjall debat se ka boshllëk mendor dhe jo kushtetues. Vendimi mund të mos merret në 31, për 100 arsye mund të shtyhet data 31. Edhe nëse shqyrtohet me 31, gjykata duhet të tërhiqet për votim dhe të arrihet shumica nëpërmjet votimit dhe më pas të shpallet vendimi. Duhen 30 ditë kohë për shpalljen e vendimit.
Vendimi duhet të arsyetohet, që mund të marrë akoma edhe më shumë kohë dhe të botohet në Fletoren Zyrtare, atëherë jep efektet. Edhe nëse Gjykata Kushtetuese do të jepte sot vendimin, unë e rrëzova ankimin e Veliajt, përsëri asnjë autoritet nuk duhet të veprojë derisa vendimi të hyjë në fuqi. Data 9 nuk arrihet në asnjë lloj formati,” tha juristi në “Euronews Albania”. /Pamfleti
Lini një Përgjigje