TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Tetor 2025, 18:23

Pse u pezullua dekreti i Presidentit? Zbardhen argumentet e Kushtetueses: Do të sillte pasoja të pariparueshme

Shkruar nga Pamfleti

Pse u pezullua dekreti i Presidentit? Zbardhen argumentet e Kushtetueses: Do

Zbardhen argumentet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimin e ditës së sotme për pezullimin e zgjedhjeve në Tiranë. Gjykata pranoi kërkesën e Veliajt për pezullimin e  dekretit, derisa të merret një vendim final në fund.

Në argumentet e saj, Kushtetuesja shprehet se sipas nenit 45, pika 1, të ligjit nr. 8577/2000, të ndryshuar, Gjykata, kryesisht ose me kërkesë të palëve, kur vlerëson se zbatimi i ligjit ose aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesat shtetërore, shoqërore ose të individëve, sipas rastit, me vendim të Mbledhjes së Gjykatës ose në seancë plenare urdhëron pezullimin e tij.

Sipas kësaj dispozite, së pari: subjekti që kërkon pezullimin e një akti duhet të provojë prekjen e interesave shtetërore, shoqërore ose të individëve, si dhe pasojat e pariparueshme që do të sjellë zbatimi i aktit; së dyti: shqyrtimi i kërkesës mund të bëhet nga Gjykata përpara ose në seancë plenare.

 Mbledhja e Gjyqtarëve, pasi mori në shqyrtim pretendimet e kërkuesit në mbështetje të kërkesës për pezullim, vlerësoi se në rastin konkret ajo ndodhet në kushtet e parashikuara nga neni 45 i ligjit nr. 8577/2000.

Në vlerësimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve zbatimi i dekretit të Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve vendore vetëm për Bashkinë e Tiranës, do të sillte pasoja të pariparueshme në drejtim të të drejtave të të zgjedhurit vendor (kërkuesit), për sa kohë çështja gjyqësore për shkarkimin e tij është ende në shqyrtim.

Pjesë nga vendimi

-Në datën 29.09.2025, kërkuesi i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese (Gjykata) me kërkesë me objekt shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj” me pretendimin se ai vjen në kundërshtim me nenin 115 të Kushtetutës. Në datën 01.10.2025 Presidenti i Republikës ka nxjerrë dekretin nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore”, përfshirë edhe Bashkinë Tiranë të përcaktuar në pikën 1 të këtij akti. Kërkuesi në datën 02.10.2025 i është drejtuar Gjykatës me kërkesë për shtim objekti, duke kërkuar edhe shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës për pikën 1 të tij si dhe pezullimin e efekteve juridike të këtij akti, bazuar në nenin 45 të ligjit nr. 8577/2000.

-Në mbështetje të kërkesës për pezullim, kërkuesi ka pretenduar se, për sa kohë Kushtetuta i ka dhënë Gjykatës kompetencën dhe përgjegjësinë për të garantuar të drejtën e organit të zgjedhur vendor ajo duhet të ndalojë pasojat e paligjshme që vijnë nga dekreti i Presidentit. Sipas tij, zbatimi i dekretit përpara se të shprehet Gjykata për ligjshmërinë e VKM-së që e ka shkarkuar atë nga detyra, rrezikon të prodhojë pasoja të rënda, të parikthyeshme, që prekin jo vetëm pozitën institucionale të të zgjedhurit vendor, por edhe interesat shtetërore, shoqërore dhe qytetareve. Kërkuesi ka pretenduar se pasojat e mundshme janë organizimi i zgjedhjeve në një bashki ku nuk ekziston vakanca juridike; shpenzimet e burimeve njerëzore e financiare për organizimin e zgjedhjeve; një proces zgjedhor i imponuar politikisht dhe kundër vullnetit të qytetarëve. Po sipas tij, në rast se nuk vendoset pezullimi, vendimi i Gjykatës nuk do të rivendoste situatën e mëparshme dhe pasojat do të ishin të pakthyeshme, duke u krijuar një precedent i rrezikshëm, zëvendësimi i të zgjedhurit vendor përpara se të vendoset vlefshmëria e shkarkimit.

-Sipas nenit 45, pika 1, të ligjit nr. 8577/2000, të ndryshuar, Gjykata, kryesisht ose me kërkesë të palëve, kur vlerëson se zbatimi i ligjit ose aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesat shtetërore, shoqërore ose të individëve, sipas rastit, me vendim të Mbledhjes së Gjykatës ose në seancë plenare urdhëron pezullimin e tij. Sipas kësaj dispozite, së pari: subjekti që kërkon pezullimin e një akti duhet të provojë prekjen e interesave shtetërore, shoqërore ose të individëve, si dhe pasojat e pariparueshme që do të sjellë zbatimi i aktit; së dyti: shqyrtimi i kërkesës mund të bëhet nga Gjykata përpara ose në seancë plenare.

-Mbledhja e Gjyqtarëve, pasi mori në shqyrtim pretendimet e kërkuesit në mbështetje të kërkesës për pezullim, vlerësoi se në rastin konkret ajo ndodhet në kushtet e parashikuara nga neni 45 i ligjit nr. 8577/2000. Në vlerësimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve zbatimi i dekretit të Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve vendore vetëm për Bashkinë e Tiranës, do të sillte pasoja të pariparueshme në drejtim të të drejtave të të zgjedhurit vendor (kërkuesit), për sa kohë çështja gjyqësore për shkarkimin e tij është ende në shqyrtim.

PËR KËTO ARSYE, ARSYE

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 45, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykates Kushtetuese të Republikës së ndryshuar dhe nenit 27, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës, njëzëri.

VENDOSI:

1. Pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 350, datë 01.10.2025 "Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore" për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë. Tiranë, më 09.10.2025.

Dokumenta bashkëngjitur

Lini një Përgjigje