
Zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila pezulloi dekretin e Presidenti për zgjedhjet e 9 nëntorit në Tiranë.
Veliaj ankimoi fillimisht shkarkimin, ndërsa bëri një shtesë padie për pezullimin e zgjedhjeve. Kërkesa e tij është pranuar sa i takon pezullimit, ndërkohë seanca e parë sa i takon shkarkimit do të mbahet më 31 tetor.
Nuk dihet nëse do të kemi vendim në të njëjtën seancë. Nëse Kushtetuesja e shpall të ligjshëm shkarkimin e Veliajt, atëherë hapet rruga e zgjedhjeve. Nëse jo, atëherë nuk ka zgjedhje në Tiranë deri në vitin 2027, vetëm nëse ka një dënim me formë të prerë të Veliajt.
Vendimi i Kushtetueses
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sot në datën 09.10.2025 pasi mori në shqyrtim paraprak kërkesën e paraqitur nga kërkuesi Erion Veliaj me objekt: “Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën. Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si të papajtueshëm me nenin 115, pika 2 dhe 3 të Kushtetutës. Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës parashikon, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese.”, bazuar në nenin 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenin 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës,
VENDOSI
Pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë”.
Lini një Përgjigje