Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama për kritikat e këtij të fundit ndaj gjyqtarëve, duke e akuzuar kreun e qeverisë për kontroll të plotë mbi sistemin e drejtësisë dhe përdorim të tij në mënyrë të njëanshme e politike.
Sipas Salianjit, Rama bën “sikur shqetësohet” për vendime të drejtësisë, vetëm kur ndonjë gjyqtar i rrallë nuk i bindet plotësisht.
“Ndërkohë që pasi e ka kapur sistemin, i përdor dhe sillet me prepotencë, duke i trajtuar institucionet e drejtësisë si lecka,” shkruan ai.
Salianji i konsideron këto sulme përgjegjësi të gjyqësorit, i cili sipas tij, “ka lejuar qeverinë në batërdinë urbanistike, ndërtimet pa leje dhe korrupsionin që i ka ushqyer ato”.
Salianji ngre një pikëpyetje drejtuar komunitetit ndërkombëtar, duke kërkuar një qëndrim të qartë ndaj asaj që ai e quan poshtërim dhe minim të institucioneve nga ana e Ramës.
“Qytetarët shqiptarë dhe opinioni publik kane pritur reagimin e partnerëve ndërkombëtarë që kanë investuar për ndërtimin e institucioneve të reja të drejtësisë: a do të ketë një reagim të fortë kur Rama i godet, i poshtëron dhe i minon institucionet e drejtësisë? Apo standardet e reagimet vlejnë vetëm kur opozita denoncon abuzimet?”, përfundon ai.
Lini një Përgjigje