
Gallata me drejtësinë: Kryeministri sulmon, KLGJ përtyp fjalët, opozita me gjysmë zëri...
Sot sistemi i drejtësisë në Shqipëri u bë skena kryesore e një shfaqjeje të njohur, ku aktorët politikë dhe institucionet e pavarura shfaqen si në një komedi tragjike. Kryeministri Edi Rama ka disa ditë që sulmon gjyqtarë me emra, për vendime që nuk i pëlqejnë qeverisë. Pas prokurores Elsa Gjeli për operacionin në Theth, dje u godit një gjyqtar tjetër, ndërsa sot Rama kaloi në një nivel më të lartë duke sulmuar publikisht edhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, organin më të rëndësishëm të gjyqësorit shqiptar.
KLGJ reagoi me një deklaratë të vakët, ku fliste për “subjekte publike e private” pa guxuar t’i përmendte emrin Ramës. Ky qëndrim vetëm sa e nxiti më shumë kryeministrin, i cili në një reagim të ashpër i bëri të ditur anëtarëve të KLGJ-së se nuk duhej të merreshin me të, sepse gjyqtari i tij ishte populli. Në fakt, ky është një precedent i rrezikshëm. Një kryeministër që e sheh veten mbi institucionet e pavarura dhe i delegjitimon ato me sulme publike.
Nga ana tjetër, opozita tregoi edhe një herë dobësinë e saj. Vetëm Gazment Bardhi dhe Jorida Tabaku guxuan të reagojnë, duke akuzuar Ramën se po intimidon drejtësinë dhe po sillet si “antiligji”. Pjesa tjetër heshti, ndërkohë që mediat pranë Sali Berishës shkuan edhe më tej, duke sulmuar vetë KLGJ-në dhe duke e quajtur të frikësuar, pasi nuk përmendi emrin e Ramës. Ky kontrast e bën të duket sikur Rama dhe Berisha, pavarësisht retorikës së përditshme, ecin paralelisht në një lojë ku drejtësia del gjithmonë humbëse.
Në këtë panoramë nuk mund të lihet jashtë një element i rëndësishëm: heshtja e SHBA-ve. Dikur, çdo sulm politik ndaj gjyqtarëve merrte një reagim të menjëhershëm nga Ambasada Amerikane. Ajo ishte mburoja që i jepte kurajë organeve të drejtësisë të mos dorëzoheshin përballë presioneve politike. Prej janarit, me ardhjen e administratës Trump, Uashingtoni nuk ka ndërhyrë më në çështjet e brendshme. Sot, pikërisht në ditën kur Vanhorn shkoi në zyrën e Ramës, ndodhi edhe përplasja më e fortë e kryeministrit me KLGJ. Një koincidencë që tregon qartë se politika ka marrë zemër nga heshtja e partnerit strategjik.
Në fund të ditës, “gallata drejtësi–politikë” është e qartë: një kryeministër që tallet me gjyqtarët dhe i sheh si pengesë për pushtetin e tij; një KLGJ që ka frikë të përmendë emrin e tij; një opozitë e cila flet me gjysmë zëri dhe një SHBA që nuk po ndërhyn më. Në këtë mes, drejtësia shqiptare është e pambrojtur dhe qytetarët mbeten pa garanci se ligji është mbi politikën./ Pamfleti
Lini një Përgjigje