
Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama kundër Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka reaguar kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Në një reagim publik, Bardhi theksoi se kryeministri po përpiqet të shtrembërojë rolin e institucioneve të drejtësisë dhe të intimidojë gjyqtarët.
“Përpara se të shtrembërojë nga padija e thellë rolin e KLGJ, Edi Rama bën mirë të kuptojë rolin e tij: është për të luftuar bandat, jo për t’i ulur në qeverisje; është për t’i shkatërruar ekonomikisht bandat, jo për t’u dhënë licenca, tendera, koncesione apo leje ndërtimi; është për të luftuar korrupsionin, jo për ta ligjëruar atë përmes projekteve si inceneratorët që nuk ekzistojnë; është për t’u gjykuar nga prokurorët e gjyqtarët, jo për t’i gjykuar ata”, deklaroi Bardhi.
Ai shtoi se Rama është i vetmi kryeministër në Europë që jo vetëm komenton, por edhe sulmon gjyqtarë e prokurorë specifikë për çështje konkrete. Sipas Bardhit, ky qëndrim përbën një rrezik të hapur për pavarësinë e drejtësisë në Shqipëri.
“Boll harxhoi kohën me çështje që as i kupton dhe as mundet t’i kuptojë, sepse Edi Rama është gatuar si ‘antiligji’ dhe ‘anti interesi publik’”, theksoi kreu i grupit të PD.
Lini një Përgjigje