TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Gusht 2025, 16:24

Sesioni i ri Parlamentar, Agron Duka: Gabimet që nuk duhet të përsërisë opozita

Shkruar nga Pamfleti

Sesioni i ri Parlamentar, Agron Duka: Gabimet që nuk duhet të

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka komentuar hapat e radhës që duhet të ndërmarrë opozita me nisjen e sesionit të ri parlamentar.

Ai theksoi se ka nevojë për një riorganizim të thellë të opozitës, duke shprehur shqetësimin për të ardhmen e mbajtjes së zgjedhjeve në vend.

“Zgjedhjet u certifikuan, por kanë shumë probleme. Ajo që më shqetëson është e ardhmja e zgjedhjeve në Shqipëri. Nëse vazhdon e njëjta rrugë, rrezikojmë të përfundojmë në një sistem me një parti dhe disa satelitë që quhen opozitë”, tha Duka.

Duka theksoi se opozita ka një mision të madh për t’u riorganizuar dhe për të ndërtuar një strukturë politike të fortë, në të njëjtin nivel me organizimin e së majtës, të cilin e konsideroi si të shkëlqyer dhe në përmirësim të vazhdueshëm.

Sipas Dukës, problemi nuk qëndron më në ideologji, pasi qytetarët janë gjithnjë e më shumë pragmatistë dhe kërkojnë zgjidhje konkrete. Ai shprehu bindjen se përballë një maxhorance të konsoliduar, opozita duhet të ndalojë përçarjen dhe të përqendrohet në ndërtimin e një alternative të besueshme.

“Unë nuk kam marrë pjesë në asnjë tryezë me aleatët, nuk kemi zhvilluar takime në selinë blu. Ne kemi një deputet që do jetë në Parlament. Sipas meje, bojkoti është provuar dhe nuk ka dhënë rezultat. Duhet luftë parlamentare”, u shpreh ai për “News 24”.

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste theksoi se opozita nuk duhet të përjashtojë asnjë zë kritik dhe se është momenti për të afruar sërish të gjithë aktorët opozitarë.

“Opozita nuk ka luksin të lërë askënd jashtë. Ka ardhur koha të bashkohet, sepse janë disa që bëjnë më shumë opozitë opozitës sesa qeverisë”, shtoi ai.

Ndër gabimet më të mëdha të opozitës ndër vite, Duka përmendi mospjesëmarrjen në zgjedhjet vendore, djegien e mandateve dhe mospërfshirjen në reformën territoriale, duke i cilësuar këto si plagë të rënda dhe të vështira për t’u rikuperuar.

Në përfundim, ai theksoi se riorganizimi i Partisë Demokratike është thelbësor për të rifituar besimin e elektoratit, sidomos të shtresës gri që vendos rezultatin e zgjedhjeve.

“Opozita ka 50 deputetë, nuk janë pak. Duhet diversifikim i mënyrave të bërjes së opozitës, në parlament dhe në rrugë, por më e rëndësishmja është që PD të lëvizë strukturat dhe të jetë e pranishme në bazë”, theksoi Duka.

Lini një Përgjigje