Nga biznesi i makinave me qira te ministri i “qingjave të kurbanit”; Blendi Gonxhe, personifikimi i konfliktit të interesit që Rama e ushqeu për ta flijuar në altar…
“Kurbani” i Edi Ramës që shkroi në 2011-n, ku rreshtonte armiqtë më të betuar të tij, flet kryesisht për ‘desh’ e ‘qingja’ të butë.
Po nuk përjashtohen në ritin e sakrificës edhe ‘gjela deti’ me gushë të fryrë, që para se ta therin për sebepe, ta ngjeshin mirë e mirë që të bëhet sa më i dhjamosur.
Kështu duket se ka vepruar Edi me një nga shërbëtorët e tij më të zellshëm, të cilin e ngriti lart dy vitet e fundit, duke e bërë superministër me 2 dikastere, e bëri deputetin më të votuar dhe hapi fjalën se do ta bëjë kryetar bashkie të Tiranës.
Ky është Blendi Gonxhe, ministri apo zyrtari i lartë shqiptar, që thjesht sa futi këmbët në piramidën e lartë, u bë subjekt i SPAK-ut.
Blendi Gonxhe ju vërsul deputetit Klevis Balliu, i cili citoi një investigim të Pamfleti-t në lidhje me aferat e ministrit me dy ministri.
Shkumëzimet e Gonxhes nuk ishin gjë tjetër veçse britma dëshpërimi, pasi edhe ai vetë duket e di se ka shkelur në ‘dërrasë të kalbur’ kur pranoi të ishte në qeverinë e Edi Ramës.
Pasi Blendi Gonxhe është personi më autentik që plotëson që në fillim kushtin e konfliktit të interesit. Një shkelje e rëndë, i cili është shkruar edhe në Kodin Penal.
Pas rikthimit të tij nga Barcelona rreth viteve 2000, nga frika se do ta hetonin për hapjen e portës së digës së Liqenit, nisi një biznes në Tiranë, i cili eci mirë që në fillim.
Bleu një flotë makinash luksoze, që i jepte me qira kryesisht për evente VIP. Ku puna më e rëndësishme ishte me shtetin, i cili përdote makinat e tij për të shoqëruar delegacione të shumta, ngase parku i delegacioneve shkoi herët për skrap.
Kompania e Gonxhes punoi jo keq edhe në kohën e qeverisjes së Sali Berishës, përkatësisht në kohën e qeverisjes së tij me Ilir Metën. Por pikun e pati kur erdhi Edi Rama në pushtet. Kompania e tij u bë referenca kyesore në këtë shërbim.
Siç dihet, procedurat për të përfituar shërbimet publike të institucioneve të shetit kanë rregullat e tyre, tenderat, nga konkurrimi te derdhja e parave.
Pa i hyrë hollësive të shërbimeve që ka kryer kjo kompani, por thjesht në qëllimin e statusin e saj, Blendi Gonxhe nuk duhet të ishte ministër. Ose, nëse do të ishte, duhet të shiste të gjitha aksionet e kompanisë tek një subjet apo person tjetër, i cili nuk është subjekt i deklarimit të pasurisë së tij. Siç është bashkëshortja.
Alqi Bllako, u dënua sepse i dha një rol supervizori të atit të tij në ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, kur në realitet i ati i Bllakos kishte kohë që bënte supervizorin në ndërtime të veprave publike.
Ndërkohë, makinat e Gonxhes kanë punuar për një kohë të gjatë në kontrata me drejtuesit e incerenatorëve, e ai jo vetëm nuk është hetuar, por u bë ministër.
A thua nuk e dinte Edi Rama këtë konflikt monstruoz interesi që kishte Gonxhja e tij që u çel vetëm pas 26 vjetësh, madje me tre fletë njëherësh?
Normalisht që e ka ditur, por e ka yshtur në mëkatin mishtor, duke e ditur babëzinë e qehajajit të vjetër.
I cili fiks si gjeli i detit para vitit të ri u fry e u fry, sa gusha iu si një kaposh Peqini. E siç ka bërë Edi Rama në çdo mandat, një kurban e ka gjakosur në themelet e tij, që t’i shkojë puna mbarë./Pamfleti
Lini një Përgjigje