
Kompromiset me regjimet autoritare, me fuqitë okulte apo me praktika të dyshimta, mund të garantojnë një stabilitet të dukshëm. Megjithatë ato lënë pas një gjurmë rrënojash morale dhe ligjore. Çdo qeveri që formohet mbi këtë bazë, nuk është e destinuar të qëndrojë gjatë pa zbuluar të çarat e shumta në strukturën e saj...
Çështja Almasri nuk është vetëm e natyrës gjyqësore. Përkundrazi, ajo është një pasqyrë e pamëshirshme që reflekton kontradiktat, lëshimet dhe përgjegjësitë e atyre që qeverisin vendin. Përfshirja e kryeministres Giorgia Meloni në listën e të dyshuarve, së bashku me anëtarë të tjerë të qeverisë së saj, është një goditje e fortë për politikën italiane.
Ky episod hedh jo vetëm hije dyshimi mbi menaxhimin e drejtësisë dhe sigurisë në vendin tonë, por tregon edhe sesi politika mund të ndërthuret me ngjarjet gjyqësore, duke krijuar një përzierje konfliktesh interesi dhe dyshimesh mbi transparencën dhe paanshmërinë.
Vendimi për përfshirjen e Melonit në listën e të dyshuarve, së bashku me Ministrin e Drejtësisë dhe atë të Brendshëm, nuk është një detaj i parëndësishëm. Meloni, e cila e ka paraqitur gjithmonë veten si kampione e sigurisë dhe rendit, rrezikon që ta shohë të dëmtuar imazhin e saj si një lidere e pathyeshme, duke u shfaqur e paaftë për të parë përtej interesave të ngushta partiake.
Politika e mbështetjes së pushteteve të forta dhe e mbrojtjes së “shërbimeve”, po vihet në pikëpyetje nga një gjykatë që do të hedhë dritë mbi një çështje të errët që deri më tani dukej se ishte fshehur mirë. Akuzat e ngritura nuk janë të lehta për t’u injoruar.
Ato ngrenë pyetje të pakëndshme mbi transparencën e veprimeve të qeverisë, dhe nivelin e kontrollit që vendi ynë ka ose nuk ka ushtruar mbi operacionet ndërkombëtare të kryera në emër të sigurisë. Ministrat e përfshirë, duhet të japin llogari për zgjedhjet e tyre politike dhe shkeljet e mundshme, që jo vetëm mund të rrezikojnë besimin e qytetarëve tek institucionet, por të vënë në pikëpyetje vetë parimet demokratike.
Çështja Almasri, është vetëm kapitulli i fundit i një serie të gjatë skandalesh që kanë karakterizuar lajmet në Itali që nga fillesat e republikës aktuale, një vend që po duket i paaftë për t’u çliruar nga një politikë e paqartë dhe e kontakteve të rrezikshme.
Nëse do të ketë një aktakuzë, dhe më pas një proces gjyqësor (gjë që nuk ka gjasa), Meloni dhe aleatët e saj do të duhet të përballen me stabilitetin e brishtë të qeverisë së tyre. Italia po përjeton prej dekadash një krizë jo vetëm ekonomike apo sociale, por mbi të gjitha politike dhe morale.
Sa herë që formohet një qeveri, duket e pashmangshme një mori skandalesh, hetimesh dhe akuzash për keqmenaxhim. Ky nuk është një fenomen që mund të shpjegohet si përjashtim, si një aksident. Përkundrazi, është rezultat i një klase sunduese, e cila i ka ndërtuar gjithmonë themelet e saj mbi aleancat pragmatike, premtimet boshe, dhe mbi kompromise me fuqitë e jashtme.
Ndoshta edhe me pakte direkte me regjimet autoritare dhe situata që janë në kufijtë e shkeljes së të drejtave të njeriut. Rasti Almasri është një shembull i qartë. Menaxhimi i situatave ndërkombëtare delikate dhe potencialisht të diskutueshme - si ato që përfshijnë Libinë apo vende të tjera ku shkelen të drejtat themelore - ngre pikëpyetje jo vetëm mbi politikën e jashtme italiane, por edhe mbi etikën e atyre që janë në pushtet.
Dhe si të mos mjaftonte kjo, vetë politika lëkundet nën një tension të përhershëm midis nevojës për të garantuar një stabilitet iluzor, dhe rrezikut të kompromentimit të parimeve themelore demokratike të drejtësisë, transparencës dhe solidaritetit. Në këtë kontekst bëhet vendimtar një reflektim mbi votuesin italian.
Në një demokraci të pjekur, elektorati pritet të bëjë një votim të mirë-informuar, bazuar në vlera të qarta të drejtësisë, ligjshmërisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Megjithatë, në Itali - siç ndodh në shumë demokraci të tjera perëndimore në krizë - duket se shumë votues zgjedhin figura politike pavarësisht - ose për shkak të - njëfarë paqartësie dhe mospërputhjeje në sjelljen e tyre.

Kjo sjellje, është produkt i zhgënjimit të votuesve, të përballur me dekada të zhgënjimeve politike, krizave ekonomike dhe padrejtësive sociale. Votuesi italian që voton për një parti si ajo e Melonit, mund ta bëjë jetë i nxitur nga ndjenja e “nevojës” për ndryshim, për një shkëputje me të kaluarën, dhe ndoshta edhe nga premtimi për një rendi të ri, më të sigurt dhe “më të fortë”.
Nën këtë klimë, koherenca, ligjshmëria dhe të drejtat e njeriut kalojnë shpesh në plan të dytë, ose justifikohen me nevojën për ta mbrojtur vendin nga kërcënimet e jashtme ose të brendshme. Është logjika e “sigurisë me çdo kusht”, ajo që ka pasur gjithnjë një tërheqje të fortë në periudha pasigurie dhe frike kolektive.
Për më tepër, në disa raste është dukuria e zhgënjimit, ajo që i shtyn votuesit të zgjedhin “të keqen më të vogël”, duke votuar për një politikan që ata e perceptojnë si të vetmin në gjendje për të zgjidhur problemet e tyre konkrete, edhe nëse kjo përfshin kompromise me vlerat vetjake etike ose ligjore.
Ky është triumfi i pragmatizmit mbi moralin, i kërkimit të zgjidhjeve të shpejta përballë një sistemi që duket i ngurtë dhe i paaftë për të reaguar ndaj emergjencave të përditshme të njerëzve. Por kjo “zgjedhje pragmatike” nuk është kurrë pa pasoja.
Kompromiset me regjimet autoritare, me fuqitë okulte apo me praktika të dyshimta, mund të garantojnë një stabilitet të dukshëm. Megjithatë ato lënë pas një gjurmë rrënojash morale dhe ligjore. Çdo qeveri që formohet mbi këtë bazë, nuk është e destinuar të qëndrojë gjatë pa zbuluar të çarat e shumta në strukturën e saj./Përshtati Pamfleti nga “Il Fatto Quotidiano”
Lini një Përgjigje