
As zgjedhjet e reja e as emërimi i një kryeministri të ri, nuk do të zgjidhnin problemin e mbijetesës politike të presidentit Vuçiç...
Armiku i jashtëm, në bashkëpunim me të brendshmin (opozitën) duket se ja kanë ngatërruar hesapet keq oligarkisë serbe dhe Presidentit atje. Njohësit e mirë të rrethanave në Serbi mendojnë se në fakt, Presidenti serb si kreu i oligarkisë kleronacionaliste serbe, do të dëshironte që përballë të kishin opozitën e hutuar serbe, të shkapërderdhur e konfrontuar mes vedi, ku vetëm një pjesë e vogël është qartë properëndimore dhe demokratike. Por, me gjasë, nuk është dora e opozitës ajo që po i nxit studentët.
Nëse Millosheviçit i kishte “ndodhur populli”, Vuçiçit i “ndodhën studentët” , me një dallim se Milloshi e kishte papapërgatitur “ndodhjen e popullit” ndërsa presidentit aktual serb vërtet i “ndodhën” studentët. Ishte thënë “ndodhi populli” për ta paraqitur përkrahjen e masave për politikën nacionaliste të Millosheviçit si spontane, por në rastin e studentëve serb, së paku deri më tani, po duket se vërtetë i kanë “ndodhur” Aleksandrit. Ata po “zbulojnë” një strategji të bllokimit të sistemit nga “pakica”.
I vetëdijshëm se qytetarët dhe studentët serb, dorëheqjen e kryeministrit të Serbisë, nuk do ta konsiderojnë të mjaftueshme për të ndalur protestat, pasi të gjithë janë të vetëdijshëm se ai ishte vetëm marionetë e Presidentit Vuçiç, njerëzit e këtij të fundit janë lëshuar në sulme për t’i dhënë drejtim dhe kah tjetër lëvizjes studentore, duke llogaritur në masën e madhe të qytetarëve serb, e cila është fuqishëm nën ndikimin e kleronacionalizmit, apo kompanive dhe bizneseve të afërta me oligarkinë serbe e me interesat ruse.
Shkuarja në zgjedhje dhe as emërimi i një të mandatuari të ri, nuk do të zgjidhnin problemin e mbijetesës politike të presidentit Vuçiç. Këtu bëjnë punë vetëm ruajtja e shtetit, lufta kundër separatizmit në Vojvodinë, ku edhe filloi gjithçka, në Novi Sad. Vojvodina Republikë, është ideja e radhës pas Kosovës Republikë dhe ai premton dhe kërcënon se do të shkojë në Novi Sad për të penguar këtë. Ai kërcënon edhe me konfrontime në mes separatistëve, armiqve të jashtëm që duan ta copëtojnë Serbinë, me “mllefin e kundërshtarëve të protestave”, të cilin gjoja vetëm ai tashmë po e kontrollon. Por pa kërcënimin kosovar, arësyet do të ishin të mangëta për Presidentin e Serbisë. Ai, përmes “zëdhënësit” të tij për Kosovën Petkoviç, nis lojën dinake të akuzës për studentët kinse ata dhe Kurti kanë të njëjtit sponzorë.
“Kurti kurrë nuk do ta kuptojë përgjegjësinë që Vučević ka demonstruar (duke dhënë dorëheqje), u shpreh Drejtori i Zyrës së qeverisë serbe, e ashtuquajtur Zyra “për Kosovë dhe Metohi”, Petar Petković, i cili u përpoq që me një deklaratë spekulative të ndikojë në zgjedhjet në Kosovë por edhe në zhvillimet në Serbi, duke i paraqitur protestat e studentëve të dirigjuara nga e njëjta qendër me Qeverinë e Kosovës.
Ai reagoi kështu ndaj deklaratës së Kurtit, se me të në krye të Qeverisë në Prishtinë, kryeministrat në Beograd japin dorëheqje, dhe shtoi se e ka kuptuar shumë mirë pse Kurti mbështet protestat opozitare në Beograd .
"Sulmet e Kurtit ndaj Miloš Vučević dhe Serbisë tregojnë se kush është armiku i tij kryesor. Kurti mbështet protestat sepse shpreson kot se me dhunë dhe rrugë mund të ndryshojë pushtetin në Beograd, dhe kështu të arrijë njohjen e të ashtuquajturës Kosovë", tha ai.
Por, sipas tij, këtë nuk do ta lejojë Presidenti Vuqiç. Ai tha se për Kurtin ka një lajm të keq, që është se për sa kohë që presidenti Vučić është në krye të Serbisë, Beogradi zyrtar kurrë nuk do ta njohë të ashtuquajturën Kosovë të pavarur dhe se Kurti mund vetëm të ëndërrojë për këtë, ashtu siç ëndërron për të ashtuquajturën "Shqipëri të Madhe", flamujt e së cilës, theksoi ai, i valëvit me pasion në mitingjet e tij, por aty përfundon gjithçka.
Paketa politike e Vuçiç, nuk do të ishte një sallatë tipike ruse nëse nuk do të lidhte Kurtin edhe me opozitën serbe, të cilën ai, me patjetër do ta nxjerr në rrugë, për tu përballur me ta me polici e me ushtri, pasi u pa që përkrahja popullore për të shtypur me dhunë protestat e studentëve mungoi.
"Tani është e qartë pse Kurti nuk sulmon as Dragana Đilas, as Marinika Tepić, as Miloš Jovanović, as Borka Stefanović dhe pse mbështet protestat, ndërkohë që njëkohësisht qëllon, arreston, rreh dhe dëbon serbët nga Kosova dhe Metohia", përfundoi Petković.
Kjo është tollovia e pritur serbe, në periudhën dhjetë ditëshe kur Parlamenti serb duhet të vendosë: qeveri e re apo zgjedhje të reja. Nëse Vuçiç sheh rrezik për pushtetin e tij nuk do të bëjë as njërën as tjetrën por do të aplikojë masat e jashtëzakonshme në Vojvodinë, e rrjedhimisht edhe në Serbi, do të eskalojë në veri të Kosovës, do të suspendoj demokracinë, do të ndalojë protestat.
Ajo që duket problematike për një vendimmarrje të tillë duket se është: Vuçiç ende nuk e ka të qartë kush i udhëheq protestat: perëndimi apo Rusia, Evropa apo SHBA? Derisa ta kuptojë, po e lëkundë bazamentin, me shpresën se tërmeti në bazë do të nxjerrë armikun e vërtetë./Pamfleti
Lini një Përgjigje