TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Gusht 2024, 18:22

E dërguara e SHBA mesazh armiqve të reformës: Nuk ka kthim pas, të korruptuarit do japin llogari

Shkruar nga Pamfleti
E dërguara e SHBA mesazh armiqve të reformës: Nuk ka kthim pas,
Nancy VanHorn gjatë takimit me ministrin Manja

Diplomatja duket se e ka bërë të qartë se pavarësisht emrit që është në krye të ambasadës, qëndrimi është i njëjtë: Reforma nuk preket!

Shtetet e Bashkuara duken të palëkundura sa i takon reformës në gjyqësor. Pavarësisht se kush është në krye të ambasadës, të gjithë janë në sintoni të plotë kur flitet për korrupsion, sundim të ligjit apo drejtësi.

E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn, prej disa ditësh po zhvillon takime me përfaqësues të qeverisë, duke u njohur më nga afër me ta. Sot ajo ka takuar ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, me të cilin sigurisht është folur për reformën në drejtësi.

Ashtu si paraardhësi i saj, por edhe ambasadorja Yuri Kim, Nancy VanHorn shprehet se SHBA do të punojë fort që reforma në drejtësi të ecë përpara, teksa e bën të qartë se të korruptuarit duhet të ndëshkohen dhe të sundojë ligji në vend.

E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua sot me Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja. Ata diskutuan rolin thelbësor të zbatimit të plotë të reformës në drejtësi në rrugën e pakthyeshme të Shqipërisë para drejt aspiratave euroatlantike. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, për të forcuar institucionet e drejtësisë dhe në mbështetje të sundimit të ligjit”, shkruan ambasada.

Mesazhi duket se shkon për të gjithë ata që duan të pengojnë drejtësinë. Si majtas ashtu dhe djathtas nuk e duan këtë reformë dhe po bëhet gjithçka që ajo të ndalet. Por diplomatja duket se e ka bërë të qartë se pavarësisht emrit që është në krye të ambasadës, qëndrimi është i njëjtë: Reforma nuk preket.

Politika shqiptare po shfrytëzon mungesën e një ambasadori me kohë të plotë, për të tjetërsuar reformën. Pas ikjes së Yuri Kim, emri i ambasadorit David Kostelancik është bllokuar në Senat dhe kjo ka bërë që Meta dhe Berisha të hidhen në sulm ndaj SPAK, ndërsa Rama të fusë në lojë votat në Parlament për të tjetërsuar reformën. /Pamfleti

Lini një Përgjigje