TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Prill 2024, 18:40

Drama e Ilir Metës, si e braktisën njerëzit që i bëri me para?!

Shkruar nga Pamfleti
Drama e Ilir Metës, si e braktisën njerëzit që i bëri
Ilir Meta i braktisur nga të gjithë

Të gjithë njerëzit që u pasuruan nga Ilir Meta, përveç se nuk kanë qenë të lirë, se kush jep haraçin është peng, ishin gjithnjë e gjithnjë nën presionin për të dhënë më shumë e më shumë, çka shumë nga këta njerëz i ka dëmtuar, i ka trazuar e kaluar në situata mendore të rënduara...

Ilir Meta nuk reshti këto ditë së përdoruri fjalën “tradhti” kudo. Mund ta ketë edhe me Monikën e tij, të cilën e ka bërë qepaze kudo, por në të vërtetë gjithçka e ka me njerëzit që i afroi, i la të bëjnë siç bën ai me lekët e shtetit, e në fund, një pjesë e madhe sot janë me Edi Ramën.

Në mos të gjithë me Edi Ramën, pjesa tjetër kanë dalë në “punë të vet”, janë mënjanuar e po konsumojnë atë që kanë, që në realitet nuk është pak.

Kjo e ka irrituar më shumë Ilir Metën sesa edhe hetimet ndaj tij. Pasi, duke pasur me vete një enturazh njerëzish që ai i ka bërë të pasur, mendonte se do t’i kishte në krah në ditën më të vështirë, por edhe t’i përdorte si kokë turku ndonjë ditë siç bën Edi Rama, apo t’i ketë kamikazë siç janë “pretorianët” e Sali Berishës. Të cilët janë gati të vdesin për idhullin e tyre, i cili nga njerëz pa asgjë, i bëri të pasur e të fuqishëm, ku kanë siguruar breza e breza.

Kjo është realisht brenga më e madhe e Ilir Metës. Pasi të gjithë njerëzit e tij që ai ngriti dhe afroi pas vetes nuk i ka më. Duke nisur nga i ndjeri Dritan Prifti, apo edhe ish-ministrat edhe deputetët që i pasuroi ndër vite.

I ka ikur Agron Çela, Lefter Koka, Nasip Naço, Edmond Rrushi, Përparim Spahiu e shumë e shumë njerëz të tjerë që i afroi e i çoi në kupolën e shtetit. Madje edhe Ylli Manjani, i cili u bë ministër nga Ilir Meta, sot është më afër Sali Berishës se shefit të tij të vjetër.

Si ndodhi kjo? Një arsye ka, madje jo të vogël. Në mënyrën e punës së tij, Ilir Meta është një posesiv, që i do njerëzit e afërt që të rrinë pranë tij non stop.

I do në zyrë, kur është vetë në zyrë, i do në dreka e darka kur është vetë në zijafet, i do në çdo orë të ditës dhe të natës.

E çfarë është më e rëndësishmja, i bën llogaritë e lekëve në mënyrë precize, duke i kërkuar kështu pjesën, e cila nuk është njësoj asnjëherë.

Si një kapo mafie, Ilir Meta ka marrë gjithmonë ekstorsion apo “pica” ndaj njerëzve, biznesmenëve apo grupeve politike që i ka mbështetur. Por ndryshe nga një ligj i pashkruar i organizatave kriminale që kanë një “tarifë fikse” komisioni, personazhi ynë në fjalë nuk e ka pasur kurrë këtë stekë. Të cilën e ka rritur e rritur, sa herë shikonte ose e mendonte se ka nevojë për para.

Pikërisht ky zakon ka hapur në Tiranë legjenda urbane e anektoda të shumta se si kryej rituali i dorëzimit të zarfeve në vilën e Lalzit, ku nëse letra ishte e hollë, qeni u hidhej në grykë “mysafirëve” që përfundonin në pishinën e vilës me kostum e kollare.

Me fjalë të tjera, të gjithë njerëzit që u pasuruan nga Ilir Meta, përveç se nuk kanë qenë të lirë, se kush jep haraçin është peng, ishin gjithnjë e gjithnjë nën presionin për të dhënë më shumë e më shumë, çka shumë nga këta njerëz i ka dëmtuar, i ka trazuar e kaluar në situata mendore të rënduara.

Ndaj në momentin që këta njerëz gjetën rastin për t’ia mbathur ju duk se gjetën parajsën. Edhe pse mbetën e vazhdojnë të jenë të korruptuar, e që sipas të gjitha gjasave japin haraçin për shefat e tij, ndjehen më lirshëm sesa me shefin e vjetër.

Ilir Meta ka menduar se do t’i mbajë lidhur me zinxhirë “zagarët e tij” të korrupsionit, por pas disa vitesh ai u gjend pa asnjë, ose thuajse asnjë ata njerëz që jo vetëm i kishte bërë të pasur, por thuhet se u kishte dhënë në kujdestari edhe asete.

E frika në këtë rast është se këta njerëz mund të “kenë kënduar diku” për ndarjen e aseteve. Gjasat janë që nuk kanë “kënduar” aty ku duhet, pra në SPAK, por i kanë transferuar pronat diku tjetër, ose i kanë mbajtur për vete.

Kjo ka sjellë realisht panikun, zhgënjimin e Ilir Metës. Ai është politikani më i fuqishëm në vend që ka pasur të gjitha postet e larta në vend, e megjithatë nuk ka asnjë shqytar apo pretorian që i ka mbetur besnik. Madje as gruaja e vet Monika. Ilir Meta, me nervat e tij të trazuara ja vë fajin “tradhtarëve”, por fajin në të vërtetë e ka vetë.

Ai është njeriu që ka shkaktuar këtë braktisje të gjithë shokëve, miqve, bashkëpunëtorëve, e aleatëve. Meta është njeriu më i vetmuar në politikën shqiptare, më i vetmuar se Edi Rama, se Sali Berisha, se Lulzim Basha, madje edhe më i vetmuar se Kujtim Gjuzi.

Sot Ilir Meta ka pas vetes vetëm Tedi Blushin, që e ka pasur zëdhënës në presidencë, Agim Neshon, i cili e mbron në panele televizive, por jo Monikën, Petrit Vasilin, apo të tjerë kolonelë të LSI-së së tij.

Kjo vetmi e Metës, shihet qartë edhe në videot e tij të PR, ku gjen ndonjë personazh popullor por asnjëherë një njeri politik. Ilir Meta nuk është as Adriatik Lapaj as Endri Shabani që ka ardhur sot në politikë. Është një personazh që prej vitit 1992 është një zyrtar i lartë i këtij shteti që është ngritur deri në krye të piramidës shtetërore.

Kushdo që të kishte qenë në pozitën e Ilir Metës, do të kishin pas vetes të paktën 13 ose 14 dishepuj, 2 më shumë se Jezu Krishti që s’pati pushtet madje u persekutua.

Fajin në këtë rast, edhe pse kanë mëkatet e veta të gjithë, nuk ja ka askush, madje as Monika, e cila shfryu para disa ditësh se është viktimë e të shoqit. E ky aspekt nuk është një ngjarje politike por një diagnozë për profesor Petrelën, sepse sot nuk është më një sëmundje, është pasojë. Ilir Metën nesër mund të mos e votojë as Monika, e kjo është qartë jo drama po tragjedia e tij, që nuk është më një ngjarje politike por një simtomë klinike… /Pamfleti

Lini një Përgjigje