Kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës, Fredi Beleri që ndodhet pas hekurave që në 12 Maj i është përgjigjur Edi Ramës nga qelia për reagim e tij teksa e përshkroi rastin e tij “Digjet jorgani për një plesht”.
Në një reagim të shpërndarë në media, shprehet se arrestimi i tij është politik dhe se drejtësia është e kontrolluar nga vetë kryeministri Edi Rama.
Kreu i qeverisë deklaroi se Shqipëria është në epokën e drejtësisë së re, por Beleri thotë se Rama ka qenë në dijeni të gjithckaje. Fredi Beleri nuk ngurron që ta krahasojë Ramën me presidentin truk, Erdogan kur flet për drejtësinë dhe demokracinë.
“Vendimet e gjykatave ‘të reformuara’ është e vërtet që nuk komentohen, por nuk mund të deklarojë që këto gjykata e prokurori janë të pavarura prej tij. Në çdo rast, para se të arrestohej një prej të tijvë, kryeministri e ka ditur para, dhe e ka shkarkuar apo larguar nga karrigja ngjitur tij, gjithë publiku i di rastet, para se të arrestohen të tijtë, merret leje dhe i jepet kohë të bëjë deklaratat justifikuese paraprakisht, përgjegjësia është individuale.
Është e vërtetë që shumë nga të zgjedhurit dhe miqtë e tij janë në burg sot, por asnjë prej tyre për krime zgjedhore, por për krime që kanë të bejnë me shpërdorime fondesh publike në përmasa gjigande, që çuditërisht i bënin pa ditur gjë Kryeministri, megjithëse ka qenë në karrigen ngjitur me ta kur hidheshin firmat. Për krime zgjedhore jam i vetmi i arrestuar në 33 vjet. Në 33 vjet që kemi dëgjuar për krime zgjedhore, vetem një grek është arrestuar dhe vetem një grek që publikisht është cilësuar nga kryeministri si armiku i tij personal, mbahet në burg.
Të gjithë i kemi dëgjuar regjistrimet e dosjes se Dibrës dhe Durrësit, deri në Gjermani kanë shkuar, por asnjë prej atyre që u dëgjuan nuk është arrestuar, por janë ngritur në detyrë, një minister madje. Edhe Erdogani si ju flet për Drejtësi të Pavarur. Dhe është ankuar se Amerika dhe Europa ndërhyjnë në punët e gjyqësorit Turk. Edhe Erdogani mbahet si kampion demokracie që nuk ndërhyn në sistemin e drejtësisë!! Edhe në diktaturë me vendime gjykate përndiqnin kundërshtarët politikë paraardhësit Tuaj, Z.Kryeministër !
Sa për pronat e bregut, nuk fshihesh dot pas gishtit, që ia drejton gjithkujt, vetëm nga vetja nuk e kthen z. Kryeministër, punonjesit e tu në kadaster i dëtyrojnë pronarët e ligjshëm t’u shesin pronat që t’ua regjistrojnë. Të të kujtoj një shokun tënd që shkarkoi 5-6 shefa kadastre në Vlorë që të mos i regjistronin pronën të zotit se e kishte piketuar ai për investime strategjike.
Sa për lirinë e shprehjes që himariotët ushtruan dje, nuk na e keni dhënë ju z.Kryeministër, por ka lindur me ne dhe është mbrojtur me gjak. Të mburresh ne 2023, kur komunizmi ka rënë prej 33 vitesh, se po na lënë të shprehemi lirshëm, është arrogancë. Natyrisht neve vetëm të shprehemi na ka mbetur, dhe do presim me durim që drejtesia e “pavarur” nga ju të flasë fjalën e saj, por kjo çështje nuk mbaron këtu, tek gjykatat e kryeministrit. Populli ka folur z.Kryeministër, lëre të zgjedhurin të bëjë punën e vet, kapërdije mospëlqimin, dhe lëri gjykatat të flasin, pa u thënë ti që “provat aty duhet të jenë” dhe se “janë ‘të pavarura’. Drejtesia vonon po nuk harron!!!”, mbyllet reagimi i Belerit.
Lini një Përgjigje