Prej 1 muaji që kur u emërua Ministër i Brendshëm, po publikon çdo informacion për aksionet policore dhe flet për grupe e emra kriminelësh të arrestuar e bashkëpunëtorë policie, kur ligji e ndalon ministrin të ndërhyjë në aktivitetin policor, por ndoshta e ka ves nga “përvoja” e bashkëpunimit që ka me to...
Prej datës 15 korrik kur ka marrë detyrën e deri tani, ministri Taulant Balla bën deklarata e jep të dhëna në media, për çdo aksion të policisë në çdo komisariat, madje dhe për arrestime personash që rrihen në lagje, gjobitje skafistësh në plazhe, për shoferë që ecin shpejtësi e të dehur etj., etj.
Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, drejtorët e qarqeve dhe shefat e komisariateve, pas emërimit të Taulant Ballës Ministër i Brendshëm, janë jashtë loje duke mos komunikuar me publikun për ngjarjet që ndodhin dhe për punët e policisë.
I vetmi që jep “lajmet” e policisë për ngjarjet, është ministri Taulant Balla, duke arritur deri në atë absurditet e zbehje të figurës së ministrit, sa dha dhe lajmin e orarit të ri në zyrat e pasaportave dhe të një personi të arrestuar për dhunë ndaj të dashurës.
Logjikisht e zyrtarisht, bëhet pyetja: - Taulant Balla është Ministër i Brendshëm, Shef Komisariati apo zëdhënës shtypi i Muhamet Rrumbullakut?
Del e flet dhe për hetime e aksione të policisë, për grupe kriminale, për emra trafikantësh në gjurmim, për bashkëpunëtorë të policisë, për detaje hetimesh e faza finalizimi aksionesh, kur Ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë”, ia ndalon kategorikisht ndërhyrjen në punët e policisë.
Në nenin 8 të ligjit për marrëdhëniet e Ministrit të Brendshëm me Policinë, thuhet: - Ministri nuk ka të drejtë të informohet nga drejtori i policisë dhe nuk lejohet të kërkojë informacione, për veprime hetimore, për akte e të dhëna të dala prej tyre.

Ministrit, i ndalohet të marrë apo kërkojë informacione që kanë të bëjnë me identitetin, familjen, profesionin, aktivitetin, vendbanimin e denoncuesve, dëshmitarëve dhe informatorëve të policisë.
Mirëpo gjatë këtij muaji në detyrë, kemi parë që ministri Taulant Balla, përveç se jep çdo ditë “lajmet” e policisë, deklaron dhe të dhëna aksionesh, hetimesh e personash të përfshirë në ngjarje që janë në hetim konfidencial.
Ndoshta e ka ves nga “përvoja” e bashkëpunimit me bandat e Elbasanit; por më shumë, duket si egoizëm për të treguar se çdo sukses i policisë pas emërimit të tij si ministër, është rezultat i punës së tij drejtuese./Pamfleti
Lini një Përgjigje