
Tensione dhe përplasje te Parku Olimpik, por PD ruan mandatin...
Partia Demokratike ka arritur të mbajë fitoren në qarkun e Lezhës, edhe pse me rezultat shumë të ngushtë. Vota e diasporës solli epërsi të madhe të Partisë Socialiste, duke bërë që diferenca të shkojë te e 73 vota. Kaq i mjaftuan PD të marrë fitoren.
Kjo solli tensione dhe përplasje te Parku Olimpik. Sipas burimeve, Flamur Noka dhe Taulant Balla kanë shkuar gati te përplasja fizike, teksa ka pasur akuza dhe debate të forta mes tyre.
PD ka pretenduar për parregullsi dhe se kanë dalë më shumë fletë. Por pavarësisht gjithçkaje, rezultati nuk u arrit të përmbyset.
PD ka siguruar 4 mandate në Lezhë dhe PS vetëm 3. Nga PD futen në Parlament: Agron Gjekmarkaj, Elda Hoti, Gjin Gjoni dhe Kastriot Piroli. Ndërsa nga PS: Ulsi Manja, Ermal Pacaj, Marjeta Neli.
Por vota e diasporës do të jetë vendimtare sa i takon garës brenda partive, sidomos te PS. Pasi te PD ka mbetur e hapur vetëm Tirana, por Jorida Tabaku është afro 3 mijë vota para Ilir Alimehmetit.
Te PS, pasi kemi garë të hapur mes Ornaldo Rakipit dhe Xhemal Qefalisë. Rakipi ka siguruar mandat aktualisht dhe ka 9552 vota, ndërsa Qefalia ka 9423 vota. Pra, një diferencë afro 100 vota. Ndërsa më e ngushtë është gara mes Blerina Gjylametit (5751 vota) dhe Olta Xhaçkës (5732 vota). Për emrat e tjerë vështirë se ndryshon gjë, por për 4 më sipër vota e Diasporës do të jetë vendimtare.
Edhe në Durrës gara është e hapur në fund të listës. Etleva Budini ka siguruar 4047 vota, por ndiqet nga Dorina Laçi me 3164 vota.
Në Fier po ashtu loja mbetet e hapur. Dhimitër Kruti ka 3629 vota, por ndiqet nga Ramion Kurti me 3622 vota. Pra, kemi 7 vota diferencë.
Në Korçë mbetet e hapur gara mes Besa Spahos (6691 vota) dhe Enslemvera Zakes (6239 vota).
Qarku i fundit ku mund të kemi ndryshime nga vota e Diasporës është Vlora. Vasil Llajo ka siguruar mandat me 4894 vota, por ndiqet nga Klevis Kaso me 4623 vota.
Lini një Përgjigje