
Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, duke komentuar zgjatjen e gjendjes së emergjencës për Ballkanin Perëndimor nga Presidenti Donald Trump, tha se kambanat po bien për kartelet e drogës dhe krimin e organizuar të lidhur me qeverinë.
Në një intervistë për Syri Tv, Bylykbashi theksoi se Trump ka kaërkuar shkatërrimin e karteleve.
“Unë do të thoja diçka më tepër që nuk ka kërkuar hetim, por shpartallim të karteleve të drogës në Shqipëri. Drejtori i ICITAP, që është një nga organizmat e rëndësishëm të ekzekutivit amerikan në fushën e ligj zbatimit dhe me përfaqësues pranë ambasadës amerikane në Tiranë, përçoi mesazhin e Prokurorit të Përgjithshëm një nga figurat kryesore të Administratës të Presidentit Trump. Pra mesazhin për shkatërrimin e karteleve të drogës në Shqipëri.
Tani i gjithë Ballkani është problematik, por këtë mesazh e dha këtu në Shqipëri. Sepse Shqipëria është bërë një platformë e jashtëzakonshme për kartelet e mëdha drogës, ato që sjellin heroinën, ato që sjellin kokainën në Evropë apo dhe në SHBA.
Dhe sigurisht kartelet e këtij lloji organizatat e këtij lloji krijojnë dhe një rrezik për aspektin e sigurisë, jo vetëm për sa i përket Shqipërisë, por dhe më gjerë.
Krimi i organizuar, i lidhur me qeverinë pra i provuar në mënyrë të vazhdueshme, më 11 maj i tregoi ndërkombëtarëve sa shumë ka, sepse ata nuk ishin të fshehur, por ishin nëpër qendrat e votimit siç e pamë në Durrës në Elbasan, në Tiranë dhe Vorë”, tha Bylykbashi.
Lini një Përgjigje