TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Maj 2024, 18:46

Busti është rrëzuar, por Rama kthen pas tre dekadash kultin e individit!

Shkruar nga Pamfleti

Busti është rrëzuar, por Rama kthen pas tre dekadash kultin e

Kush ka menduar se kulti i individit ra bashkë me diktaturën shqiptare në 20 shkurt 1991, kur u rrëzua busti i Enverit, me siguri ka mbërritur në përfundime të nxituara.

Në një përpjekje të dëshpëruar për të justifikuar korrupsionin galopant në qeverisjen e tij, Edi Rama ka restauruar konceptin e rolit të individit në transformimin e gjërave. Edhe ish udhëheqësi komunist, së paku në fjalorin publik, vinte institucionin e partisë përpara vetes, kurse autokrati aktual, ka hedhur së fundi tezën e njeriut që qëndron mbi institucionin.

“Ju e dini shumë mirë sa varet qasja, performanca, rezultati i një institucioni nga drejtimi që i bën personi që e kryeson”, predikoi ai të mërkurën në mbledhjen e jashtëzakonshme, ku mbajti një fjalim mbi 2 orësh përpara ministrave dhe deputetëve socialistë.

Në përpjekjen alibike të kryeministrit që Lapsi.al e ka kaluar në sitë, kishte dy absurditete monumentale.

Së pari, tentativa për të justifikuar grabitjen sistemore të këtyre 11 viteve qeverisjeje të rilindjes, me korrupsionin si një ves i trashëguar në genet shqiptare që prej pushtimit otoman, të cilin Rama dhe ekipi i tij po mundohen ta luftojnë sot.

E dyta ishte përpjekja për të ringjallur rolin e individit në një sprovë për të argumentuar se në demokracitë në zhvillim, liderët politikë nuk japin dorëheqjen edhe kur i kapen si hajdutë, një pjesë e mirë e bashkëpunëtorëve të tyre.

Kryeministri u rrek të arsyetojë se ka disa raste – jo gjithmonë u kujdes të shtonte ai-, kur në demokracitë perëndimore liderët japin dorëheqjen si reagim moral, kur një pjesë e ekipit të tyre vërtetohen si grabitës. Por në demokracitë ende të pakonsoliduara dhe në zhvillim, si kjo e Shqipërisë, ekziston rreziku që nëse lideri merr përgjegjësinë morale për vartësit që i kapen nga drejtësia, puna e institucionit që varet shumë prej të parit, mund të përmbyset, pretendoi kryeministri.

“Pikërisht sepse roli i individit kane ende peshë shumë të rëndesishme në këtë përpjekje, ekziston rreziku i marrjes së përgjegjësisë morale”, tha Edi Rama në ligjëratë të drejtë (shiko videon lart).

Pra edhe nëse vjedhja plas sheshit si këtu, ai e quajti veten si garancinë unike për të shpëtuar vendin nga korrupsioni.

Tani, pas këtij retushimi të konceptit për kultin e individit në shoqërinë tonë, mbetet të vërtetohet edhe parashikimi që bënte gazeta britanike “The Guardian” një shkrim për kullat e Tiranës. Aty gazetari parathoshte se gradaçela që Rama i ka porositur arkitektit Vini Maas, që po merr formë në sheshin qendror, në krah të 15 katëshit, ku skicohet portreti i Skënderbeut, fsheh në fakt konturet e fytyrës së autokratit të ri. / ©Lapsi.al

Lini një Përgjigje