Kryeministri Edi Rama, njoftoi se deputetët e Partisë Socialiste do të mobilizohen në të gjitha zonat me problematika në vend, si një “detyrim” e përgjegjësi që vjen pas fitores historike më 11 maj.
“Është bërë e papranueshme, e padurueshme për shumë njerëz, ushtrimi i forcës dhe symbyllja e strukturave përkatëse”, tha fillimisht kreu i qeverisë, duke marrë si shembull edhe atë që ka ndodhur së fundmi në Vlorë.
Paralajmëroi se kushdo që ka kryer shkelje do të përballet me gjoba, deri në ndjekie penale.
“Do të përballen me gjoba e deri në ndjekje penale për zaptim dhe shkatërrim të pronës publike”, tha Rama.
“Brenda dy javësh duhet të kemi inventarët e të gjitha këtyre zonave dhe kleçkave që u kanë nxirë jetën banorëve, të moshuarve, prindërve, fëmijëve dhe kanë kthyer territoret në tokë e zanun në mënyrën më të padrejtë”, shtoi kreu i qeverisë, duke u bërë apel drejtuesve në institucione të ndryshme që ka ardhur momenti “të zgjohen”.
Në këtë mobilizim, përmendi inspektorët e IMT-së dhe forcat e Policisë së Shtetit. Në mbyllje, u shpreh falenderues për çdo urim, në një ditëlindje që për të është më shumë punë se sa festë.
“Boll është boll, të fillojnë të mbledhin plaçkat. Arsyet më kanë bërë të jem shumë më pranë Tiranës, marr shumë më tepër ankesa dhe e kam shumë shumë të nevojshme që të jem gati t’u jap përgjigjen që kërkojnë, për interesin e përbashkët. Duke shpresuar se edhe inspektorët do të vrapojnë shumë këto dy javë që pastaj të mos ballafaqohen me faktet, duke i kërkuar Policisë së Shtetit në rritjen e vigjilencës, u uroj të gjithëve një ditë të mbarë! Faleminderit për urimet, por kur vjen prefiksi 6, më duket se nuk është më nevoja për festa ditëlindjesh. Më e mira është e gjitha përpara!”, përfundoi numri një i kabinetit.
Lini një Përgjigje