Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë për mediat ditën e sotme tha se opozita po shkon drejt “ngujimit në bulevard”.
Ai tha se shumë qytetarë i kanë kërkuar të mos largohen nga bulevardi pa largimin e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se kjo është një rrugë e pashmangshme.
Berisha akuzoi ashpër qeverinë dhe e cilësoi “Rilindjen” si organizatë kriminale, duke përmendur edhe emra konkretë që sipas tij duhet të ishin para drejtësisë.
"Janë me qindra qytetarë që më shkruajnë dhe më thonë se nuk duhet të largohemi nga bulevardi pa larguar Edi Ramën. Ne drejt asaj do të shkojmë. Të themi të vërtetën. Ne drejt asaj do të shkojmë në mënyrë të pashmangshme, në mënyrë të sigurt. Ndaj dhe pikërisht ky moment duhet të jetë çështje e diskutimit tonë të gjerë me qytetarët, me mbështetësit tanë, me anëtarët tanë dhe popullin opozitar. Galeria e Ergys Agasit, është galeria më e shëmtuar e shtetit. Ajo do të hyjë në histori si dëshmia më e tmerrshme e degradimit, degjenerimit total të organizatës kriminale që quhet rilindje. Kjo vetëm e vetën se Agasi ishte Rama, jo për arsye tjetër", tha Berisha.
Kreu i demokratëve gjithashtu tha se ndërkombëtarët po e presin protestën e opozitës shqiptare në bulevard.
"Gjithçka është në duart e të rinjve shqiptarë, e studentëve, e të rinjve punëtorë, e gjimnazistëve. Dhe unë kam shumë besim. E gjithë Europa pret protestën tonë. E gjithë bota pret protestën tonë. I kanë përcjellë protestat me simpatinë më të madhe, me vlerësimin maksimal. Ndaj dhe ne do të vazhdojmë misionin, misionin e përmbysjes së kësaj narkodiktaturë dhe rikthimin e votës së lirë për shqiptarët", tha kreu i selisë blu.
Berisha paralajmëroi Ramën se nëse do të shkojë në Këshillin e Europës do ta presin shqiptarët me protesta.
“Nuk ka vend për ata të cilët sillen si me qenë i biri i Enver Hoxhës aty dhe shanset i ka minimale, për të thënë të pakëta, sidoqoftë se në rast se ky synon të shkojë në atë seli, shqiptarët e Francës dhe Gjermanisë do i ketë para saj. Po, do organizohet një nga protestat më të fuqishme sepse e meriton. Tani, keni parë ju, deputetë me mandate krimi, delinkuentë, kalojnë si hiena nga një sallë në tjetër duke thënë se ja si e nxin ky Shqipërinë, pse unë them të vërtetat dhe mbroj dinjitetin e shqiptarëve që nuk kanë lidhje me këta hajdutë. Kurse ata mbrojnë krimet e tyre”, tha Berisha.
Para se të niste mbledhja e grupit parlamentar të PD-së u zhvillua mbledhja e Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale, ku deputetët demokratë nuk morën pjesë.Për këtë çështje, mazhoranca ka paralajmëruar se do të aplikojë mekanizma zhbllokues, duke iu referuar kërkesës së PS-së për të ndryshuar formulimin e funksionimit të komisioneve të posaçme.
Lini një Përgjigje