Taulant Balla, kryetar i Grupit Parlamentar socialist, i ka drejtuar një tjetër paralajmërim demokratëve të Sali Berishës, për të marrë pjesë në Komisionet e Posaçme për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale, pasi në të kundërt do të ndërmerren hapa për të zhbllokuar situatën.
Socialistët kanë propozuar që të ndryshohet formula e drejtimit të komisionit me bashkëkryetarë, sikundër kanë kërkuar shumicën në Komisionin e Territoriales.
Balla kërkoi sot nga PD që të reflektojë, të marrë pjesë në komisionin që ka nisur punën për një nga reformat thelbësore, atë Territoriale, mbi të cilat do të organizohen edhe zgjedhjet e 2027-ës.
“Nuk jam natyra e njerëzve që bëjnë ultimatume por kam bërë një kërkesë për grupin e PD që të reflektojnë për detyrimin për të zbatuar vendimin e Kuvendit për ngritjen e komisionit për Territorialen.
Kemi rënë dakord kemi ngritur një komision nën parimin e bashkëdrejtimit dhe barazisë. Çdo shkresë kërkon dy firma nga bashkë kryetarët. 3 muaj që nga ngritja e komisionit, deputetët e PD nuk lejohen nga lidershipi të marrin pjesë në mbledhje.
Besoj që sot në mbledhjen e komisionit jo vetëm deputetët e opozitës të jenë prezent por edhe të marrin detyra që nesër në seancën e Kuvendit të mos jemi të detyruar të vendosim mekanizmat zhbllokues të situatës. Shpresoj në reflektim, por nëse nuk ka dhe Shqipëria është e detyruar të marrë një Reformë të zgjeruar Zgjedhore”, tha Balla.
Lini një Përgjigje