Ministria e Jashtme greke ka reaguar për dënimin me 2 vite burg të Fredi Belerit…
Greqia ka reaguar mbi vendimin e sotëm të Gjykatës së Posaçme, e cila dënoi me 2 vite burg Fredi Belerin.
Përmes një deklarate për mediat, Ministria e Jashtme greke pretendon se procesi nuk ishte i drejtë. Por ajo që bie në sy është se reagimi i sotëm është shumë herë më i butë se rastet e tjera. Ministria nuk përmend fare integrimin në BE, teksa shprehet se shpreson për një proces më të drejtë në Apel. Më herët Athina kërcënonte me veto sa i takon integrimit europian, por sot nuk përmendet.
“Dënimi i sotëm nga një gjykatë shqiptare i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleris, shton shqetësimet e ngritura për objektivitetin e procesit.
Dhe kjo për shkak të lëkundjes së prezumimit të pafajësisë për shkak të deklaratave dhe veprimeve të jashtme, që mbronin dënimin dhe duke qenë se dënimi përfundimtar është dukshëm joproporcional në raport me masën e veprës së pretenduar. Dhe masa e dënimit, e pengon kryebashkiakun e zgjedhur që të marrë detyrën, duke lënë në bashki kandidatin humbës në zgjedhje, pavarësisht vendimit të shprehur të gjykatës muaj më parë që vendosi largimin e tij të menjëhershëm.
Zbatimi selektiv i vendimeve gjyqësore nuk është në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës. Qeveria greke do të monitorojë nga afër çështjen dhe do të presë një gjykim të drejtë dhe objektiv në shkallën e dytë të gjyqësorit”, shprehet Ministria e Jashtme greke.
Pra duket se ka një reagim shumë më të butë dhe po jepen sinjale se Athina po ndryshon kurs, duke mos e lidhur Belerin me integrimin e Shqipërisë.
Gjykata e Posaçme ka dënuar me 2 vite burg Fredi Belerin. Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës akuzohet për blerje votash dhe GJKKO ka pranuar pjesërisht kërkesën e SPAK. Prokuroria kërkoi 2.6 vite burg për Belerin. Ndërsa Pandeli Kokaveshi është dënuar me 1.6 vite burg që i konvertohet në shërbim prove. Gjithashtu GJKKO urdhëroi konfiskimin e celularëve të të pandehurve dhe kartëmonedhat. Sa i takon seancës, në një fjalim 9 faqesh Beleri anatemoi si prokurorinë dhe policinë për sajim të provave kundër tij, ashtu edhe trupën gjykuese që sipas tij nuk ka pranuar kërkesat e Belerit dhe ka treguar njëanshmeri në gjykim.
Gjatë seancës Beleri tha se i është privuar betimi si kryetar i bashkisë së Himarës dhe se SPAK po kërkon që ta dënojë për sa kohë i duhet Ramës. /Pamfleti
Lini një Përgjigje