Greqia prej afro një viti vetëm ka kërcënuar dhe anatemuar, teksa ka ndërhyrë vrullshëm në punët e brendshme të vendit tonë. Por GJKKO nuk është ndikuar fare nga thirrjet e Athinës...
Gjykata e Posaçme ka dënuar me 2 vite burg Fredi Belerin. Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës akuzohet për blerje votash dhe GJKKO ka pranuar pjesërisht kërkesën e SPAK. Prokuroria kërkoi 2.6 vite burg për Belerin.
Me këtë vendim GJKKO i jep fund një debati të gjerë që ka përfshirë jo vetëm drejtësinë, por edhe politikën. Greqia prej afro një viti vetëm ka kërcënuar dhe anatemuar, teksa ka ndërhyrë vrullshëm në punët e brendshme të vendit tonë. Por GJKKO nuk është ndikuar fare nga thirrjet e Athinës dhe ka vendosur që Beleri të qëndrojë për 2 vite në qeli.
Ndërsa Pandeli Kokaveshi është dënuar me 1.6 vite burg që i konvertohet në shërbim prove. Gjithashtu GJKKO urdhëroi konfiskimin e celularëve të të pandehurve dhe kartëmonedhat.
Sa i takon seancës, në një fjalim 9 faqesh Beleri anatemoi si prokurorinë dhe policinë për sajim të provave kundër tij, ashtu edhe trupën gjykuese që sipas tij nuk ka pranuar kërkesat e Belerit dhe ka treguar njëanshmeri në gjykim.
Gjatë seancës Beleri tha se i është privuar betimi si kryetar i bashkisë së Himarës dhe se SPAK po kërkon që ta dënojë për sa kohë i duhet Ramës.
"Keni rrëzuar çdo kërkesë, me keni privuar nga e drejta e betimit. Nuk e sollët dëshmitarin e duhur, ata që sollët, e pyetet për rrobat, jo për përgjimet. Keni kundërshtuar dëshminë e penalitetit. Nga dita e parë deri më sot është një çështje politike. Keni shkelur parimin e prezumimit të pafajësisë dhe barazinë para ligjit.
Erion Çela, gjyqtari relator, ndërhyri duke thënë: Paraqisni fakte dhe çfarë i shërben këtij procedimi. Në çdo seancë gjyqësore kapeni me gjyqtarë të veçantë për t’i anatemuar ata. Kërkesat e rrëzuara mund t’i ankimoni.
Fredi Beleri: Prokurori kërciste stilolapsin në tavolinë. Më ka bërë presion.SPAK kërkon të më dënojë përsa kohë i duhet Edi Ramës. Sajesa qesharake të pabazuara. Ky hetim tregon si manipulohet procesi gjyqësor. Këto konkluzione nuk mund të merren parasysh nga trupa e gjykimit.
Dosja nuk ka fakte, ndaj nuk kam kërkuar gjykim të shkurtuar. Të gjitha gjetjet e prokurorisë kundërshtohen nga avokatët e mi. E vërteta do dalë një dite, herët a vonë. Jam përgjuar 24 orë ne ditë dhe e njëjta makine qe thonë ishte ne vendngjarje. I njëjti njeri me kapuç qe thonë ishte Arseni, nuk u vërtetua qe ishte Arsen Rama", tha ai.
Me shumë interes pritet se cili do të jetë reagimi i Athinës. Me shumë gjasë do vijojë retorika se do bllokohet integrimi në BE, teksa duhet theksuar se para gjykatës ishin mbledhur një grup mbështetësish të Belerit që vetëm shanin e kërcënonin. Po ashtu gjyqi u ndoq nga përfaqësues të ambasadës greke. /Pamfleti
Lini një Përgjigje