Gjykata e Lartë ka rrëzuar edhe kërkesën e SPAK që kërkonte rikthimin në qeli të Jamarbër Malltezit...
Sali Berisha dhe dhëndri i tij do të vijojnë të qëndrojnë në “arrest shtëpie”. Gjykata e Lartë ka refuzuar rekurset e bëra nga ish-kryeministri dhe dhëndri i tij, si dhe rekursin e Prokurorisë së Posaçme që kërkonte rikthimin në qeli të Jamarbër Malltezit.
Sali Berisha ju drejtua Gjykatës së Lartë me kërkesën: “Konstatimi i humbjes së fuqisë së masave shtrënguese "Detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore" dhe "Ndalimi i daljes jashtë shtetit", parashikuar nga nenet 233 dhe 234 te K.Pr.Penale, caktuar ndaj deputetit te Kuvendit të Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha, Kryetarit te Opozitës”.
Ndërsa Malltezi me kërkesën: “Konstatim i humbjes se fuqisë së masës shtrënguese "Arrest ne burg", të caktuar sipas vendimit nr. 112, dt. 20.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj Prof. Dr. Jamarber Malltezi”.
Pra avokatët e të dyve pretendojnë se vendimi i shpallur për masat e sigurisë fillestare ndaj tyre ka tejkaluar afatet dhe për pasojë masat janë zhbërë. Pra Berisha ka ankimuar masën e parë të sigurisë ndaj tij, atë të detyrimit për tu paraqitur. Por kjo ka qenë një manovër, pasi nëse binte kjo masë, automatikisht binte dhe e dyta, ajo e "arresti në shtëpi". Por Gjykata e Lartë ka refuzuar rekursin duke mos ndryshuar asgjë.
Ndërkohë interesant është fakti se Gjykata e Lartë është treguar bujare me Malltezin sa i takon kërkesës së SPAK që ai të kthehet në qeli. Ashtu si në dy rastet e para, Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin dhe dhëndri i Berishës do vijojë të hetohet në "arrest shtëpie".
Sali Berisha dhe Malltezi janë marrë të pandehur për abuzime me privatizimin e pronave te ish-Kompleksi "Partizani". Prokuroria shprehet se nga ana e ish-kryeministrit është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Ndërsa Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”.
“Në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M. Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij”, shprehet SPAK për Berishën.
Ndërsa sa i takon Malltezit, prokuroria deklaron në dosje se: "Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, u bë me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga Malltezi;
Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë Malltezi".
Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro. /Pamfleti
Lini një Përgjigje