
Vijojnë replikat mes krerëve të Nismës Thurje dhe Shqipëria Bëhet
Ashpërsohet konflikti mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit. Ky i fundit ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke vulosur ndarjen mes tyre.
Lapaj e akuzoi atë dhe dajën e tij se po i bëjnë shantazh për mandatin e deputetit, ndërsa Shabani pranon se krisja e madhe ka nisur nga mosmbajtja e fjalës për lënien e mandatit.
“Duhej 13,500 vota për një mandat në Tiranë. Tiku mori vetëm 6,436. Pa votat tona, nuk do ishte sot në Kuvend”, shprehet Shabani. Ai shton se në vend që ta sulmojë, Lapaj duhet ta falënderojë, pasi koalicioni e futi në Parlament.
Në reagimin e tij, Shabani sqaron gjithashtu se Zeqir Kordhoni, i cili kërkon mandatin pas dorëheqjes së pretenduar të kandidatëve të listës së mbyllur, ka qenë personi që u përball me presione dhe madje kërcënime ndaj familjes. “Unë nuk jam dakord me sjelljen e tij, por kur kërcënohen fëmijët e një njeriu, nuk ka më moral të justifikosh heshtjen”, thekson ai.
Më tej, ai shigjeton Lapajn për hipokrizi dhe prishje të fjalës: “Adriatiku tha me zë dhe figurë se nëse do merrej vetëm një mandat, ai nuk do ta mbante. Por kur erdhi momenti, e drodhi”, deklaron Shabani, duke e quajtur këtë një tradhti ndaj aktivistëve dhe vlerave për të cilat u ndërtua koalicioni.
“Ne nuk po luftojmë për karrige, por për një politikë të ndershme. Dhe kjo betejë nuk do të ndalet nga ata që janë gati të kërcënojnë fëmijë për një vend në Kuvend”, përfundon deklaratën e tij Endri Shabani.
Postimi i plotë
Keqardhje për Tikun!
Ndjej keqardhje nga deklarata e nxituar e Tikut ku më shpall mua armikun e klasës. Duhet ta kisha menduar se pas Arlindit dhe Agronit, kisha mbetur vetëm unë nga fronti i të rinjve.
Gjithësesi për interes publik, dua të sqaroj tre gjëra.
E para, mandati i koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet nuk ka qenë kurrë i Adriatikut. Tiku mund të jetë mësuar të përvetësojë punën e të tjerëve, por pa votat e Nismës Thurje, apo pa votat e mia, ai nuk do të ishte bërë kurrë deputet!!!
Në këto zgjedhje për të marrë një mandat në Tiranë duheshin 13500 vota. Adriatiku ka marrë 6436 vota. Kështuqë, ato 7000 votat e tjera janë marrë nga kandidatë të tjerë.
Pra nëse nuk do ishim në koalicion, Shqipëria Bëhet do ishte jashtë Parlamentit. Kështu që në vend që të më sulmojë Tiku duhet të më falenderojë!
E dyta, Zeqiri e ka ndihmuar Tikun të bëhet burrë. Në këto zgjedhje ka patur vetëm një njeri që ka shpallur publikisht një angazhim përballë aktivistëve dhe votuesve, dhe ai është lideri i koalicionit.
Me zë dhe me figurë, në disa media, Adriatik Lapaj është zotuar publikisht, se nëse fitonim vetëm një mandat, ai mandat nuk do t’i takonte atij. Kjo deklaratë shërbente për të motivuar aktivistët që të punonin për interesin e përbashkët, dhe jo për të bërë Tikun deputet. Pas zgjedhjeve Adriatiku e drodhi, dhe kjo nuk u pëlqye nga shumë prej nesh, përfshi këtu edhe Zeqirin.
Duke besuar që “burri mbahet nga fjala” Zeqiri e ka ndihmuar Tikun të mbajë fjalën dhe t’ia kalojë mandatin dikujt tjetër nga partia e tij.
E treta, nëse Tiku nuk mban përgjegjësi për vjehrrin e tij, përse duhet të mbaj unë përgjegjësi për dajën tim? Prej kohësh kemi pranuar që përgjegjësia është individuale.
Dhe në fakt, si njeriu që firmosi listat, dhe që i vonoi deri në 12 të natës, Tiku ka përgjegjësinë totale që gabimisht e futi Zeqirin në listë të mbyllur, duke e zëvendësuar me Majlina Zikon. Tani më kërkon mua përgjegjësi për një çorbë që e gatoi vetë!
Zeqiri është 60 vjeç burrë, dhe nuk mund të përdoret as nga unë, por as nga Adriatiku. Ai ka dinjitetin e tij, dhe kur pa që Adriatiku po luante lojëra, reagoi. Ndërkohë që unë përpiqesha të qetësoja situatën, Tiku zgjodhi rrugën e presionit. Dhe kur Zeqiri u përball me kërcënime ndaj fëmijëve të tij, ai vendosi të mos kthehej mbrapsht.
Të jem i sinqertë, unë nuk kam qenë dakord me sjelljen e Zeqirit, por kur shoh se si akoma pa pushtet këta janë të gatshëm të të kërcënojnë fëmijët nuk di çfarë të them.
Në fund të ditës, ne nuk po luftojmë që të zëvendësojmë ujqërit e vjetër me këlyshë të rinj që të vrasin për pushtet. Po luftojmë që politika të ketë një tjetër fytyrë: të ndershmërisë dhe fjalës së mbajtur. Dhe kjo betejë nuk do të ndalet nga ata që duan të kapin karrige, por do të fitohet nga ata që mbajnë fjalën edhe kur karrigia u kalon pranë.
Lini një Përgjigje