
Thellohet përplasja mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit.
Vetëm pak minuta pas deklaratës së ashpër të kreut të Koalicionit "Nisma Shqipëria Bëhet" nuk ka hezituar të reagojë aleati i tij.
Shabani nëpërmjet një postimi në rrjetin social "Facebook", i është përgjigjur ironikisht Lapajt me poezinë e famshme të Kiço Spirit.
"Mora pushkën dola malit,
Të luftoja për atdhe,
Ku ta dija unë i varfri,
Se armiku ishim ne.
Mora pushkën dola malit
Të luftoja në furtunë;
Ku ta dija unë i ngrati
Se armiku isha unë”, shkruan Shabani.
Shkak i sherrit mes Shabanit dhe Lapajt është bërë Zeqir Kordhoni, daja i kreut të Nismës Thurje. Ai ishte kandidat në listën e mbyllur të Tiranës në zgjedhjet e 11 majit. Lapaj dhe Shabani bënë një pakt që të fusnin familjarë te lista e mbyllur dhe më pas ata të dorëhiqeshin dhe mandatet të caktoheshin te lista e hapur. Por Kordhoni ka ndërruar mendje. Ai sot deklaroi në KQZ se tërhiqet nga dorëheqja dhe kërkon mandatin.
Por Lapaj e sheh si goditje nga Shabani, pasi ka pasur përplasje mbi premtimin e Lapajt se do të refuzonte mandatin nëse koalicioni merrte vetëm 1 mandat. Por Lapaj ka ndërruar mendje dhe kjo ka ndezur konfliktin. Vetë Lapaj në një reagim goditi fort Shabanin dhe dajën e tij.
“Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?! O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem. Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij Endri Shabani të cilit i shtriva dorën e bashkimit nuk do marrin asnjë mandat. Qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament. Është një popull i tërë dëshmitar se Endri Shabani u angazhua për hapjen e listave dhe doli garant për familjarët e vetë. Nëse Endri Shabani do të mbahet mend kështu në jetën publike, mbarë u shkoftë bashkë me dajon”, shkruante ai.
Lini një Përgjigje