
Edi Rama tha nga Selaniku se drejtësia është çliruar nga duart e partisë në pushtet.
Kryeministri Edi Rama pasi u ka kërkuar votën shqiptarëve në Selanik, u foli atyre edhe për sukseset e SPAK që sipas shefit të qeverisë, meritat i ka PS.
Teksa zgjedhjet parlamentare po afrojnë, Rama po kërkon vota nga të gjitha anët për të mbuluar skandalet e qeverisë së tij dhe madje duke përdorur goditjet e bujshme të SPAK për propagandë.
Sipas tij Reforma në Drejtësi nuk do të ishte realizuar kurrë pa Partinë Socialiste.
Rama thotë ka marrë fund koha e pandëshkueshmërisë dhe se drejtësia ka goditur politikën pa dallim majtas dhe djathtas.
“Kultura e pandëshkueshmërisë ka marrë goditjen vdekjeprurëse. Goditja e parë qysh nga themelimi i shtetit shqiptar në 1912. Për herë të parë në historinë e shtetit tonë, njerëz të veshur me pushtet politik, apo të lidhur me pushtetin politik, i janë nënshtruar forcës së ligjit të barabartë për të gjithë. Pavarësisht pozicionit apo linjës së tyre me partitë politike, qoftë në qeveri apo në opozitë, ata që i kanë rënë në qafë popullit shqiptar, ata që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme nga funksionet publike, apo ata që e kanë lidhur kollaren e tyre me duart e botës së krimit po pësojnë goditjet e një drejtësie të çliruar nga duart e pushtetit politik. Për të kuptuar sesa e re, për të kuptuar sesa e madhe dhe sesa historike është kjo që po ndodh, mjafton të shohësh kokën mbrapsht. Nuk do gjesh dot, që nga 1912, një individ të vetëm, me profil të lartë politik, që të jetë, hetuar, dënuar, apo gjykuar nga një drejtësi të pavarur nga pushteti. Sot, drejtësia është çliruar nga duart e partisë në pushtet”, tha Rama.
Duke folur para shqiptarëve në Selanik, Edi Rama u kërkoi votën e tyre në zgjedhjet e pranverës, duke thënë se PS është e vetmja forcë politike që ka çliruar drejtësinë nga duart e partisë në pushtet.
'Drejtësia është çliruar nga duart e partisë në pushtet. Mjafton të kujtoni liderin e opozitës, Fatos Nanos, që u burgos jo nga drejtësi e pavarur, as nga përfitime personale të paligjshme, por për interes të një partie në pushtet, pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë përfaqësuesve të saj famëkëqij.
Jam krenar që me votën e shqiptarëve PS erdhi në qeveri dhe udhëhoqëm një reformë në drejtësi që fshiu një pjesë të llumit me vetingun në drejtësi, dhe tani po fshin llumin shumëvjeçar të politikës. Asnjë nga vendet e reja anëtare të BE nuk e ka bërë një reformë të tilla para se të hynte në BE ndërsa kjo që po ndodh në Shqipëri, nuk ka ndodhur akoma në rajon. Dhe as vendet që i kanë çelur negociata nuk ka ndodhur, ndaj jam optimist pse kemi ecur para pavarësisht bllokadave që na janë bërë herë nga një shtet dhe herë nga një shtet tjetër.
Nuk më vjen mirë nga ana njerëzore, por për arsye të kontratës që kam me shqiptarët që më kanë dhënë besimin, jam krenar që me një kurajo dhe vizion shtetbërës PS plotësisht të vetëdijshëm të gjithë bashkë për dhimbjet që do sillte një reformë e tillë, ia hoqi duart e pushteti politik drejtësisë, dhe i dha liri për të vepruar pa parë majtas dhe djathtas. Përgjegjësia ime morale do ishte që pasi u kam kërkuar votën për të bërë reformë, sot do isha këtu dhe nuk do shikonit asnjë efekt të luftës kundër korrupsionit. Sot i keni para syve dhe nuk u mjaftojnë disa minuta për t’i lexuar emër për emër. Ja pse vota e pranverës së ardhshme duhet t’u garantojë udhëheqjen PS!', , theksoi ai./ Pamfleti
Lini një Përgjigje