Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama ka mbërritur në hotelin ku do të mbahet takimi me shqiptarët në Selanik rreth orës 10:30 me orën lokale.
Rama ka zbritur nga makina dhe pasi është takuar me disa persona që ndodheshin jashtë ambienteve, është drejtuar për në sallën ku pritet të nisë takimi në orën 11:00 me orën lokale.
Ndërkohë ndërsa ndajnë vetëm pak orë nga nisja e takimit, kanë nisur dhe kontrollet e fundit të sigurisë brenda dhe jashtë sallës, ku po ashtu po përdoren edhe qentë që kërkojnë eksploziv.
Formati i takimit do të jetë i njëjtë si i takimit të mbajtur së fundmi me emigrantët shqiptarë në New York të SHBA-së, ku do të flasë vetëm kryesocialisti Edi Rama dhe më pas ai do t’i përgjigjet pyetjeve nga të pranishmit.
Ky do të jetë takimi i dytë i Ramës me shqiptarët, pas miratimit të ligjit për të drejtën e votës së emigrantëve në zgjedhjet parlamentare, të drejtë që do ta ushtrojnë atje ku jetojnë e punojnë.
Sakaq nacionalistët grekë kanë paralajmëruar se po përgatiten për një antimiting. Ai do të udhëhiqet nga kryetari i Partisë Ultranacionaliste Greke, Dimitris Valasidis. Ndërsa janë bërë gati edhe fletushkat që do të hidhen përpara hotelit ku Rama do të zhvillojë takimin me mbishkrimin “Liri për Vorio Epirin”.
Lini një Përgjigje