Futbolli shqiptar dhe ai kosovar janë tronditur nga lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të futbollistit Fation Fatmir Bunjaku.
22-vjeçari, i cili gjatë karrierës së tij kishte qenë pjesë e përfaqësueses së Kosovës U-21 dhe kishte luajtur për disa skuadra në Kosovë, ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti tragjik.
Lajmi u bë publik përmes një njoftimi të shpërndarë nga faqja e fshatit Samadraxhë, ku bëhej e ditur vdekja e të riut.
“Njoftojmë me pikëllim se mbrëmë në një aksident tragjik ka ndërruar jetë Fation Fatmir Bunjaku. Për ditën dhe orën e varrimit do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftim.
Bunjaku vlerësohej si një prej futbollistëve premtues të brezit të tij. Gjatë karrierës ai ishte aktiv në disa klube të futbollit kosovar, ndërsa së fundmi ishte pjesë e skuadrës së Elbasanit. Gjithashtu, ai kishte përfaqësuar Kosovën me ekipin U-21.
Humbja e tij e parakohshme ka prekur thellë komunitetin sportiv në Kosovë dhe Shqipëri. Pas publikimit të lajmit, klube futbolli, tifozë dhe figura të sportit kanë shprehur ngushëllimet e tyre përmes rrjeteve sociale.
Familjes Bunjaku, të afërmve dhe miqve të tij u shprehen ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të rëndë.
Lini një Përgjigje