Qendrat e votimit janë hapur në kohë në të gjithë territorin e Kosovës dhe, sipas raportimeve të deritanishme, procesi zgjedhor po zhvillohet i qetë dhe pa incidente.
Nga Prishtina, Gjakova, Peja, Podujeva, Suhareka, Mitrovica, Ferizaj, Gjilani, Skenderaj dhe Prizreni raportohet për mbarëvajtje të procesit dhe funksionim normal të vendvotimeve.
Megjithatë, në shumicën e qendrave të votimit është vërejtur një pjesëmarrje e ulët e qytetarëve gjatë orëve të para të mëngjesit. Në Prizren janë regjistruar vonesa të shkurtra, deri në 13 minuta, në hapjen e disa vendvotimeve. Ndërkohë, në Ferizaj është raportuar një ankesë nga një qytetar, i cili ka deklaruar se bashkëshortja e tij, që nuk di shkrim e lexim, nuk ka mundur të votojë me asistencë.
Përveç këtyre rasteve të izoluara, menaxherët e qendrave të votimit në pjesë të ndryshme të vendit kanë konfirmuar se procesi po vijon normalisht dhe pa probleme të theksuara.
Lini një Përgjigje