Në seancën dëgjimore të 20 majit, Wendt shpalosi prioritetet e tij si ambasador, nëse konfirmohej në detyrë, ndërsa vuri theksin në mbështetjen që do t’i jepte SPAK-ut në goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit...
Eric Wendt, i nominuar nga Presidenti Donald Trump, si ambasador i jashtëzakonshëm i SHBA-së në Shqipëri, pritet të përballet me votimin në seancën e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin amerikan, atje ku do të vendoset përfundimisht edhe data se kur gjenerali në pension do të marrë zyrtarisht detyrën.
Seanca me disa nga emrat e nominuar nga Trump për ambasadorë në shtete të ndryshme të Botës do të mbahet më 4 qershor, ora 10:00, sipas kohës lokale. Referuar agjendës së Komitetit, Eric Wendt është i 6-ti në listë. Kjo është hallka e fundit e kontrollit që është në dispozicion të institucioneve amerikane, përpara se një i nominuar të kalojë për votim në Senat, që shënon edhe fundin e procedurave.

Seanca e 4 qershorit konsiderohet si testi i fundit që kandidati për ambasador në Shqipëri ka me institucionet e Senatit, edhe pse duket si një procedurë formale. Nëse Senati miraton në votim, kandidaturën e Wendt, atëherë mbetet që të përcaktohet data se kur ai do të vijë zyrtarisht në Shqipëri për të marrë rolin e Ambasadorit, një pozicion që momentalisht mbulohet nga e Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn.
Në seancën dëgjimore të 20 majit, Wendt shpalosi prioritetet e tij si ambasador, nëse konfirmohej në detyrë, ndërsa vuri theksin në mbështetjen që do t’i jepte SPAK-ut në goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“SPAK-u, nga gjithçka që kam lexuar dhe nga vizitat e mia të mëparshme në Shqipëri, edhe pse nuk kam pasur kontakte direkte me ta, pasi kam bashkëpunuar më shumë me ushtrinë dhe qytetarët e zakonshëm, rezulton të jetë një institucion shumë i vlefshëm. Ka qenë apolitik dhe i pavarur. Prokurorët që bëhen pjesë e SPAK-ut kalojnë një proces shumë të kujdesshëm verifikimi, që përfshin edhe testin me poligraf. Ata mbikëqyren nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ku përfshihen europianë dhe amerikanë.
Ata kanë organin e tyre hetimor përmes Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH-së. Kanë gjithashtu Prokurorinë e Posaçme dhe gjykatat speciale. Të gjitha këto janë të përcaktuara në nenin 148 të Kushtetutës së Shqipërisë.
Prandaj, nëse konfirmohem, mund të angazhohem plotësisht për të mbështetur vazhdimin e funksionimit të tyre të pavarur dhe apolitik. Ju përmendët gjithashtu organizatat kriminale ndërkombëtare kundër të cilave ata po veprojnë. Nga gjithçka që kam lexuar, puna e tyre ka qenë jashtëzakonisht e vlefshme. Shkëmbimi i informacionit me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit në Tiranë, me Departamentin e Drejtësisë, FBI-në dhe DEA-n, ka qenë i pandërprerë dhe transparent.
Më është thënë, dhe këtë e kam lexuar gjithashtu, se kjo ka çuar në procedime penale kundër elementëve kriminalë në Shtetet e Bashkuara dhe qytete amerikane, si edhe së fundmi në sekuestrimin e disa tonëve kokainë që vinte nga Paraguaji.
Pra, për ta përmbledhur, mendoj se puna e tyre në këto fusha është thelbësore, për sa kohë që mbeten apolitikë dhe të pavarur. Gjithashtu besoj se kjo ndikon pozitivisht në mundësitë e biznesit amerikan, në zbatimin e ligjit për kontratat, në sigurinë dhe transparencën e tenderëve, si dhe ndihmon në krijimin e një fushe loje më të barabartë për bizneset amerikane në Shqipëri”, deklaroi Wendt në seancën e 20 majit.
Gjeneral-lejtnant, Eric Wendt lindi më 7 tetor 1964, në Berkeley të Kalifornisë. Ai ka një diplomë Bachelor në Drejtësi dhe Shoqëri dhe një Master në Çështjet e Sigurisë Kombëtare nga Shkolla Pasuniversitare Detare në Monterey, Kaliforni.
Wendt ka shërbyer si oficer në detyrë aktive të Ushtrisë që nga viti 1986. Ai shërbeu gati pesë vjet në Këmbësori dhe që atëherë ka shërbyer si Beretë e Gjelbër, Oficer i Forcave Speciale që nga viti 1991.
Wendt ka shërbyer në Indonezi si Shef Ekipi për Komandantin e Komandës së Paqësorit të SHBA-së, Ekipin e Vlerësimit të Situatës në Paqësor, në Operacionin Liria e Qëndrueshme-Filipine në Mindanao në Filipinet jugore, në dy turne detyre në Operacionin Liria e Irakut dhe në Operacionin Liria e Qëndrueshme-Afganistan. /Pamfleti/
Ka qene nje djale e quanin Ivi ne Tirane ishte ca i shkalluar e fliste ne kundershti me kohen. Kishte hipur ne nje mur e therriste: "Teze Thatcher e xhaxha Bush, hajdeni me merrni se po vdes." Qeshte gjithe Tirana e sidomos rinia ne ate kohe.