Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas episodit të fundit të podcastit “Flasim” të kryeministrit Edi Rama, ku u komentua konferenca ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian e zhvilluar në Bruksel.
Përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Berisha hodhi akuza ndaj kreut të qeverisë lidhur me procesin e integrimit europian, luftën kundër korrupsionit dhe menaxhimin e projekteve në fushën e teknologjisë dhe dixhitalizimit.
Sipas Berishës, Rama nuk përfaqësoi interesat e shqiptarëve në Bruksel, ndërsa e akuzoi për lidhje me persona të përfshirë në çështje të ndryshme që, sipas tij, cenojnë integritetin e institucioneve.
Kreu i opozitës u ndal edhe te raporti i lidhur me procesin e integrimit europian, duke pretenduar se ndryshimet e bëra në dokument evidentojnë probleme që lidhen me transparencën dhe luftën kundër korrupsionit.
Në reagimin e tij, Berisha kritikoi gjithashtu projektet dixhitale të qeverisë, duke i cilësuar ato si të kushtueshme dhe jo transparente. Ai solli si shembull kostot e disa projekteve të prezantuara së fundmi, duke pretenduar se fondet publike po keqpërdoren.
Në përfundim të mesazhit, kreu i Partisë Demokratike deklaroi se procesi i integrimit europian nuk mund të ecë përpara me qeverinë aktuale, ndërsa akuzoi kryeministrin se po përdor projektet e dixhitalizimit për interesa politike dhe financiare.
Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur debati politik mes mazhorancës dhe opozitës mbetet i fokusuar te procesi i integrimit europian, lufta kundër korrupsionit dhe funksionimi i institucioneve publike.
"Në serialin e mashtrimeve të dielës, Edi Rama sot u ndal në konferencën ndërqeveritare që u mbajt në Bruksel. Së pari duhet theksuar se në Bruksel ai nuk shkoi si përfaqësues i shqiptarëve, po shkoi si përfaqësues i familjes mafioze Agasi dhe Çyrbja, të cilat i dekoroi pikërisht ditën që u nis për Bruksel dhe ditën që firmosi marrëveshjen për IBARI-n.
Këto janë akte të shëmtuara, të cilat janë të denja vetëm për kryetar organizatash kriminale dhe jo kryetar qeverish.
Kurse përsa i përket IBARI-t, të gjithë shqiptarët sot e morën vesh se u bënë 32 amendime nga më të fortat, me të cilat provohen se Edi Rama ka shkelur parimet më kryesore të luftës kundër korrupsionit dhe transparencës.
Lubi Balluku është përmendorja e zezë në atë dokument, farsa elektorale është përmendore tjetër e zezë në atë dokument, ndaj dhe ne shprehim mirënjohje për të gjitha vendet anëtare të cilat përmbysën atë raport dhe i dhanë Edi Ramës përgjigjen e merituar.
Në serialin e tij ai u ndal tek AKSHI i ri, pasi AKSHI i lindave u damkos si organizatë e strukturuar kriminale, Edi Rama për të vazhduar vjedhjet, krijoi një AKSH të ri që e quajti ‘Albanian Digital Solution’.
Dua t’ju jap vetëm një shembull. Dje ju patë në kuvendin e Partisë Demokratike avatarin ‘Skënderbe’ i cili kushton, ka kushtuar gjithsej të 100 euro, ndërkohë avatari i Edi Ramës, Diella ka kushtuar rreth 4 milionë euro. Pra, sipërmarrjet e tij dixhitale janë, sipërmarrje në të cilat, janë kofshët e tij private në të cilat ai, i pangopur vjedh qindra e qindra milionë euro.
Si përfundim mund të themi se me Edi Ramën integrim nuk ka dhe nuk mund të ketë, se Shqipëria dixhitale me Edi Ramën përdoret për të vjedhur, për të rrjepur qytetarët shqiptarë. Faleminderit.", shprehet Berisha.
Ashtu eeee