Minsitri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha dhe homologu i Kosovës, Glauk Konjfuca mbajtën sot nga Prishtina një konferencë të përbashkët për mediat.
Kreu i diplomacisë shqiptare tha se “Kosova është prioritet absolut për Shqipërinë”, madje kujtoi fjalët e kryeministrit Edi Rama, se “kush prek Kosovën, prek Shqipërinë“.
“Kosova ka qenë pjesë e pandarë e tryezës sime në 36 vite të karrierës sime diplomatike. Ndihem thellësisht i emocionuar të jem në Prishtinë në këtë vizitë të parë në krye të MEPJ. Diskutimet që patëm sot ishin të hapura, të sinqerta, vllazërore. Kosova është prioritet absolut i politikës sonë të jashtme. Ramë dakord që dinamikat gjeopolitike në rajon dhe në Europë kërkojnë një intensifikim të mëtejshëm të koordinimit ndërqeveritar dhe diplomatik. U angazhuam për përgatitjen e takimeve të radhës. Bashkëpunimi ynë duhet të përkthehet më shumë lehtësi dhe më pak burokraci. Diskutuam për rritjen e koordinimit të ministrive tona të jashtme në të gjitha nivelet, përfshirë përfaqësitë diplomatike”, u shpreh Hoxha.
Në orën 10.00, ai u prit në një takim nga Albulena Haxhiu, ushtruese e Detyrës së Presidentes së republikës së Kosovës.
“Ju keni qenë zëri i Kosovës kur Kosova nuk kishte zë”, i ka thënë Haxhiu ministrit Hoxha, të cilin e uroi për detyrën e tij si dhe vlerësoi përvojën e tij të gjatë diplomatike në përfaqësimin e Shqipërisë në organizata dhe forume ndërkombëtare.
Sipas presidencës së Kosovës, “në takim u bisedua për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, për koordinimin në politikën e jashtme, si dhe për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet dy vendeve”.
Lini një Përgjigje