
Analisti Roland Bejko ka folur lidhur me zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, duke e cilësuar Kuvendin e mbajtur nga kjo forcë politike si një aktivitet pa rezultate konkrete dhe pa debat të vërtetë politik.
Për situatën brenda PD-së, Bejko u shpreh se aktiviteti i organizuar i ngjante më shumë një kongresi partie, ku sipas tij munguan diskutimet dhe vendimmarrja reale.
“Berisha do kontroll absolut të partisë. Kuvendi dje nuk prodhoi asgjë, ishte kongres partie. Në këtë rast nuk kemi kuvend, në kongres del udhëheqësi dhe flet dhe të tjerët e duartrokasin”, deklaroi Bejko.
Ai komentoi gjithashtu deklaratën e një deputeti të CDU-së gjermane, i cili kërkoi rinovim të lidershipit në Partinë Demokratike. Sipas Bejkos, qëndrimi i deputetit gjerman pasqyron një mesazh që vjen prej kohësh nga faktorët ndërkombëtarë për nevojën e reformimit të opozitës.
“Deklaratën e deputetit të CDU-së, Berisha do e marrë në analizë dhe nuk do kalojë pa viktima, sepse ai e sheh si një tradhti që i bëhet nga brenda”, u shpreh ai për "Abc News".
Bejko theksoi se reagimi i kreut të PD-së pritet të jetë i fortë, pasi sipas tij, Berisha konsideron deklaratën si një goditje nga rrethe që i ka konsideruar tradicionalisht miqësore.
“Doktori do të hulumtojë kush janë miqtë e këtij deputeti gjerman, aq i mllefosur ishte për deputetin gjerman. Këtej del dhe flet për ripërtëritje, u pre kokat atyre që kanë mendim ndryshe, jo më të shprehen ose të flasin. Deputeti gjerman shprehu atë mesazh që japin të gjithë ndërkombëtarët”, tha Bejko.
Lini një Përgjigje