Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka zhvilluar pasditen e sotme një vizitë në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Mësohet ambasadori Gonzato është takuar me kreun e GJKKO-së, Erion Bani.
Deri më tani nuk janë bërë publike detaje lidhur me temat e diskutimit apo arsyet e kësaj vizite në institucionin e posaçëm të drejtësisë.
Takimi vjen në një kohë kur institucionet e drejtësisë në Shqipëri vijojnë të jenë në fokus të vëmendjes së partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të Bashkimit Evropian, në kuadër të reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kujtojmë që pak ditë më parë Gonzato deklaroi se sistemi shqiptar i drejtësisë ka ende nevojë për përmirësime, 10 vite pas ndërmarrjes së Reformës në Drejtësi.
Gonzato u shpreh për mediat se drejtësia në vend përballet me vonesa dhe ngecje, ndërsa qytetarët nuk kanë ende aksesin që meritojnë.
Sipas tij, diskutimet për përmirësimin e sistemit janë të nevojshme, veçanërisht në drejtim të garantimit më të madh të të drejtave të të pandehurve dhe rritjes së eficiencës së institucioneve të drejtësisë.
“Pas reformës në drejtësi që u ndërmor në vitin 2016, jemi 10 vjet më vonë dhe mund të ketë gjëra që duhet të trajtohen në drejtim të ofrimit të mbrojtjeve më të mëdha për të drejtat e të pandehurve. Një dialog konstruktiv që synon përmirësimin e performancës së sistemit të drejtësisë për ta bërë atë më të përgjegjshëm ndaj qytetarëve është i nevojshëm.
Sistemi i zakonshëm i drejtësisë vuan nga shumë vonesa dhe ngecje. Qytetarët nuk e shohin vërtet drejtësinë dhe nuk kanë qasje në drejtësinë që meritojnë. Prandaj, një diskutim mbi këto çështje është plotësisht i justifikuar dhe është një diskutim në të cilin ne jemi të gatshëm të angazhohemi.”- shprehu ndër të tjera Gonzato.
Lini një Përgjigje