
Ish ministri dhe deputeti i PS, Fatmir Xhafaj thotë se reforma në drejtësi ishte ‘çelësi i artë’ i negociatave me BE, për të cilën tha se ka ende defekte.
“Ta themi pa hezitim, pa reformën në drejtësi, Shqipëria nuk do t’i kishte hapur negociatat me BE. Sot askush s’mund ta mohojë se reforma në drejtësi u bë çelësi i artë i hapjes së negociatave me BE. Këtë duhet ta njhin nihilistët dhe kritizerët. Reforma në drejtësi ishte reforma më e vështirë që ka ndërmarrë ndonjëherë shteti shqiptar. Mbetet prova se Shqipëria është dhe duhet të mbetet e gatshme të përballet me sfidat më të vështira në ndërtimin e shtetit demokratik. Natyrisht, askush s’mund të thotë se gjithçka është perfekte”, tha Xhafaj.
Xhafaj theksoi se BE nuk vlerëson Shqipërinë vetëm për numrin e ligjeve të miratuara, por edhe për funksionimin real të demokracisë.
"BE nuk na vlerëson vetëm për nurmin dhe cilësinë e ligjeve që miratojmë. Është gjë shumë pozitive dakordësia për këtë rezolutë të përbashkët. Negociatat mund t’i hapë një qeveri, kapitujt mund t’i negociojë një shumicë, por në BE hyn një Shqipëri", tha ai.
Xhafaj tha se reforma në drejtësi dhe BE janë një lloj garancie e anasjelltë për njëra-tjetrën. Ai theksoi rolin dhe misionin e Kuvendit në forcimin e rolit të tij kushtetues ndaj institucioneve.
“Pa suksesin e reformës në drejtësi nuk ka anëtarësim në BE, por pa BE nuk mund të mbahet e sigurt dhe e qëndrueshme reforma në drejtësi. Reforma në drejtësi mbetet testi më i madh i besueshmërisë europiane. Roli i Kuvendit bëhet më i rëndësishëm se kurrë, Kuvendi ka një mision të madh: të forcojë kontrollin parlamentar, të rrisë kontrollin demokratik, të garantojë cilësinë e reformave dhe të mbajë gjallë besimin publik te procesi. Sa më i fortë të jetë Kuvendi, aq më të forta bëhen institucionet demokratike.”, tha Xhafaj.
Cfare ka bere kjo drejtesia e fameshme, apo ka denuar barinjte me akademi?