Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, ka tërhequr vëmendjen gjatë seancës së sotme plenare, jo për ndonjë fjalim të mbajtur, por për shkak se për disa sekonda u ul në karrigen bosh të Kryeministrit, Edi Rama.
Pa u menduar gjatë, teksa bisedonte me Albana Koçiun, zv.Kryeministre, Hoxha u ul në vend të Edi Ramës, i cili gjatë seancës ku diskutohej për integrimin, mungonte në sallën e Kuvendit.
Por ‘gëzimi’ i Hoxhës për të qëndruar në karrigen e Kryeministrit nuk ka zgjatur shumë, pasi një punonjëse e administratës së Kuvendit, e cila duket se ishte vigjilente në ato momente. Ajo iu afrua ministrit të Jashtëm, duke i ndërprerë bisedën me zv.Kryeministren, ndërsa i kërkoi të lironte karrigen e Kryeministrin.
“Ju s’mund të uleni këtu, është karrigia e Kryeministrit”, raportohet t’i jetë drejtuar punonjësja e administratës, kreut të diplomacisë.
Duket se ministri i Jashtëm nuk po arrin të mësohet me funksionin qeveritar, në të cilin e vendosi Edi Rama pas largimit të Elisa Spiropalit.
Në ditët e fundit, Hoxha i ka krijuar jo pak andralla Kryeministrit, ndërsa ‘gafat’ e tij i interpreton si keqkuptime.
Në një intervistë për “Euractiv”, Hoxha kishte lënë të kuptohet se marveshja për pritjen e refugjatëve mes Italisë dhe Shqipërisë do të përfundonte pas pesë vitesh. Kjo solli reagime, ndërsa Edi Rama u përfshi në polemika me gazetarin Eddy Wax, për të amortizuar gafën e ministrit të Jashtëm.
Këto deklarata u pasqyruan gjerësisht në shtypin italian, nga La Stampa deri te Corriere della Sera. Ministri i jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, i vënë përballë presionit të gazetarëve u detyrua të mbrohet: “viti 2030 është shumë larg; le të përqendrohemi te ajo që duhet të bëjmë tani.”
Por kjo nuk ishte gafa e parë e ministrit Hoxha, dhe ndoshta nuk do të jetë as e fundit.
Në një përpjekje për t’i shërbyer apo për të treguar besnikëri ndaj Ramës, ai krijoi një problem të madh me qeverinë e Kosovës dhe me ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla. Ajo i ishte kundërvënë publiksht editorialit të përbashkët Rama Vuçiç, të cilët në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” i kërkonin BE anëtarësim në hapësirën Shengen dhe Tregun Unik, por pa të drejtë vetoje dhe pa pasur ministra në Komision dhe eurodeputetë në parlament. Gërvalla e goditi këtë nismë duke theksuar “nuk duhet të ketë për Shqipërinë alternativa me Serbinë që nuk kalojnë nëpër Kosovë. Rruga nga Tirana për Beograd çon nëpër Prishtinë, edhe gjeografikisht, edhe ekonomikisht, edhe në çdo aspekt”.
Dhe Ferit Hoxha, dy ditë pas kësaj deklarate, organizoi një mbledhje online me ambasadorët e Shqipërisë të akredituar në vendet e rajonit për ti urdhëruar atyre ndalimin e çdo vizite zyrtare të ministres Gërvalla në Tiranë. “Si mundet të guxojë ajo të kritikojë kryeministrin tonë”, ka thënë ministri i jashtëm duke shtuar: “duhet të bëni kujdes që Gërvallës mos i krijohet asnjë mundësi për takim zyrtar në Shqipëri”.
Të njëjtin pakujdes për të mos shkaktuar skandale, Hoxha tregoi me të njëjtin grup ambasadorësh, kur foli për shqiptarët e Maqedonisë. Aty po diskutohej për një artikull të gazetës Nova Makedonia për Edi Ramën kur ministri shkroi: “Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë”. Natyisht, epiteti i adresohej koalicionit Vlen në pushtet, me të cilët qeveria e Tiranës, që mbështet opozitën e Ali Ahmetit, nuk i ka marëdhëniet të mira. Ndonëse pasi u bë publik, Hoxha e fshiu mesazhin edhe në Tiranë edhe në Tetovë ky incident ngriti tallaze të mëdha.
Lini një Përgjigje