
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kërkoi në seancën plenare që gjatë diskutimeve për integrimin europian dhe raportin e paraqitur nga mazhoranca të ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama dhe kryenegociatorja për negociatat me Bashkimin Europian.
Sipas saj, debati për një proces kaq të rëndësishëm nuk mund të zhvillohet pa praninë e drejtuesve kryesorë të negociatave, ndërsa akuzoi qeverinë për mungesë transparence dhe për trajtimin formal të procesit të integrimit.
“Zoti kryetar jeni dëshmitar që për herë të parë në këtë legjislaturë po raportohet për integrimit. Kemi kërkuar që ky proces të jetë i hapur dhe kjo nuk ka ndodhur. Debati nuk mund të jetë i plotë nëse Rama dhe kryenegociatorja nuk janë këtu”, deklaroi Tabaku.
Deputetja demokrate kritikoi përmbajtjen e raportit të paraqitur nga mazhoranca, duke thënë se ai përmban vetëm lista ligjesh dhe vendimesh të Këshillit të Ministrave, pa trajtuar problematikat reale të procesit të integrimit.
“Për herë të parë, pasi kemi vite që lexojmë raporte, qeveria ka sjellë vetëm ligje. 50 faqe ligje e VKM. Nuk është ky procesi i integrimit, është reforma, vendimet politike të qeverisë, ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale, mbrojtja politike që i bëtë Ballukut dhe Reforma në Drejtësi”, u shpreh ajo.
Në fund, Tabaku theksoi se opozita mund të japë vetëm vullnet politik për procesin e integrimit, por sipas saj përgjegjësia kryesore mbetet te qeveria.
Lini një Përgjigje