TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Maj 2026, 11:15

Përplasja në PD shkon në Apel/ Mereme Sela nuk i ndahet Berishës, sfidon rikandidimin

Shkruar nga Pamfleti
Përplasja në PD shkon në Apel/ Mereme Sela nuk i ndahet
Mereme Sela

Paditësja pretendon se gjykata shmangu shqyrtimin e çështjes për shkak të natyrës politike të saj dhe kërkon rigjykim me tjetër trup gjykues.

Mereme Sela i është drejtuar Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, që ktheu mbrapsht padinë e saj lidhur me kandidimin në zgjedhjet e Partisë Demokratike. Në ankimin e depozituar, ajo kërkon prishjen e vendimit nr. 2397, datë 8 maj 2026, dhe rikthimin e çështjes për rigjykim me një tjetër trup gjykues.

Sela argumenton se vendimi për “kthim aktesh” është marrë në mënyrë të kundraligjshme dhe përbën, sipas saj, “shprehje të frikës së gjyqtares për të gjykuar një çështje që hyn në domenin politik”. Ajo pretendon se gjykata ka cenuar parimin e paanësisë dhe nuk i ka dhënë mundësinë për të korrigjuar mangësitë procedurale të evidentuara në padi.

Në dokumentin e ankimit, Sela sqaron se gjykata e konsideroi padinë të paplotë për shkak të mosshlyerjes së tarifës gjyqësore, mungesës së një kopjeje të mjetit të identifikimit dhe mungesës së adresës së plotë të selisë së Partisë Demokratike. Ajo argumenton se këto mangësi ishin të riparueshme dhe se gjykata duhej t’i kishte lënë një afat për plotësimin e tyre, në vend që të kthente menjëherë padinë.

Sipas Selës, tarifa gjyqësore nuk ishte paguar për shkak të urgjencës së procedurës, pasi zgjedhjet brenda Partisë Demokratike pritet të zhvillohen brenda muajit. Ajo shprehet se do ta kishte kryer pagesën menjëherë nëse gjykata do ta kishte njoftuar zyrtarisht për këtë mangësi ose do të kishte caktuar një seancë të shpejtë për shqyrtimin paraprak të çështjes.

Në lidhje me mungesën e dokumentit të identifikimit, Sela pretendon se kërkesa e gjykatës bie në kundërshtim me Kodin e Procedurës Civile, duke argumentuar se identifikimi i palës bëhet në momentin e paraqitjes në gjykatë dhe se në padi ishte përfshirë numri i saj personal. Po ashtu, ajo e konsideron të pajustifikuar argumentin për mungesën e adresës së saktë të selisë së Partisë Demokratike, duke theksuar se adresa zyrtare e partisë figuron në dokumentet e bashkëlidhura me padinë.

Një tjetër pretendim i Selës lidhet me atë që ajo e cilëson “paragjykim të çështjes” nga ana e gjykatës. Në ankim thuhet se gjykata ka arritur në përfundimin se në padi nuk janë paraqitur faktet dhe rrethanat që kërkohen të provohen, pa hyrë në shqyrtimin e themelit të saj dhe pa dëgjuar palët.

Sela sqaron se objekti i padisë ishte rikthimi i saj në garën për zgjedhjet brenda Partisë Demokratike dhe kundërshtimi i kandidimit të Sali Berishës për postin e kryetarit të partisë. Ajo i referohet nenit 46, pika 8 të Statutit të Partisë Demokratike, sipas të cilit kryetarit të partisë nuk i lejohet rikandidimi nëse partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse pas zgjedhjeve parlamentare. Sipas saj, kandidimi i Berishës është në kundërshtim me statutin dhe për këtë arsye “nul”.

Në ankim, Sela shprehet se padia ishte formuluar në mënyrë “lakonike”, por me identifikim të qartë të shkeljes statutore dhe të kërkesës kryesore për rikthimin e saj në garë. Ajo pretendon se gjykata ka shmangur shqyrtimin e çështjes duke zgjedhur rrugën procedurale të kthimit të akteve.

Paditësja argumenton gjithashtu se gjykata nuk ka tentuar të përdorë mekanizmat e pajtimit të parashikuar në Kodin e Procedurës Civile dhe se mosshqyrtimi i çështjes në themel i ka cenuar të drejtën kushtetuese për një proces të rregullt ligjor. Ajo e konsideron këtë situatë si një rast ku, sipas saj, sistemi gjyqësor kontribuon në “konsolidimin e autokracisë në partitë politike”.

Mereme Sela kërkon nga Gjykata e Apelit që të konstatojë cenimin e parimit të paanësisë, të prishë vendimin e Gjykatës së Tiranës dhe ta rikthejë çështjen për rigjykim me një tjetër trup gjykues.

 

mereme sela berisha apeli

Lini një Përgjigje