Kuvendi u mblodh këtë të enjte në seancën e radhës plenare, ku në nisje të punimeve kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, njoftoi se nuk është pranuar kërkesa për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, e paraqitur nga deputetët e Partisë Demokratike lidhur me projektin “Smart City”.
Peleshi sqaroi procedurën parlamentare, duke theksuar se kur deputeti nuk është dakord me vendimin e kryetarit, çështja i kalon Kuvendit për votim të hapur, pa debat.
Më pas reagoi deputeti demokrat Klevis Balliu, i cili kritikoi mungesën e kryeministrit Rama në sallën e Kuvendit, duke e cilësuar atë “politikisht të pajustifikueshme”.
Deputeti i PD-së ngriti shqetësime të forta për projektin “Smart City”, duke pretenduar se ai nuk lidhet thjesht me vendosjen e kamerave të sigurisë, por me krijimin e një sistemi të gjerë monitorimi.
Ai shtoi se, sipas raportimeve, objektivi fillestar i këtij sistemi janë shkollat, duke ngritur shqetësimin se monitorimi inteligjent mund të prekë edhe të miturit.
“Është e disata interpelancë që Edi Rama vijon të mos jetë në këtë sallë. Besoj duhet t’i kujtoni që interpelancat nuk janë çështje qejfi, ai ka detyrim të paraqitet.
Çështja që e kemi thirrur është për Smart City, nuk po diskutojmë instalimin e disa kamerave. Mungesa e kryeministrit në sallë është politikisht e pajustifikueshme. Kryeministri ka detyrimin të vijë para Kuvendit dhe të japë llogari.
Sipas dokumentacionit, projekti Smart City parashikon instalimin e mbi 2000 kamerave, rreth 3800 kamera trupore për Policinë e Shtetit. Kemi të bëjmë me krijimin e një ekosistemi survejimi. Nuk është teknologji sigurie, por arkitekturë.
Sipas raportimeve, objektivi fillestar janë shkollat. Po ndërtohet një sistem monitorimi inteligjent që prek edhe të miturit.“, tha Balliu.
Lini një Përgjigje