Kandidati i opozitës për Bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi, është paraqitur pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku ka dorëzuar për herë të dytë një kërkesë për mbledhje urgjente lidhur me mandatin e kryebashkiakut Kreshnik Hajdari.
Maliqi kërkon shpalljen e pavlefshme të mandatit të Hajdarit dhe paralajmëron se çështjen do ta ndjekë deri në Kolegjin Zgjedhor, si edhe përmes kallëzimeve të reja në SPAK.
“Jam pranë KQZ-së me kërkesën e dytë për mbledhje urgjente për shkarkimin e Kreshnik Hajdarit. Kërkojmë pavlefshmërinë e mandatit të tij dhe këtë betejë do ta ndjekim deri në Kolegj Zgjedhor, madje edhe me padi apo kërkesa të reja në SPAK, nëse do të ketë pengesa”, deklaroi Maliqi.
Ai bëri të ditur se është kërkuar zgjerim i hetimit administrativ dhe që KQZ të marrë informacion të plotë mbi statusin e Hajdarit, si dhe të rivlerësojë dokumentacionin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në lidhje me dënimin penal në Greqi të kryebashkiakut të Kuçovës.
Sipas Maliqit, KQZ duhet të ndërmarrë hapa për shpalljen e paligjshme të mandatit të Hajdarit. Ai akuzoi gjithashtu institucionet për zvarritje të procesit, duke pretenduar se prej më shumë se tre vitesh “është blerë kohë për shkak të ndërhyrjeve oligarkike dhe parave të pista”.
Maliqi kujtoi se opozita kishte kërkuar shkarkimin dhe moskandidimin e Hajdarit që në vitin 2023. Sipas tij, KQZ e kaloi çështjen për hetim të thelluar, por më pas mbajti në fuqi mandatin e kryebashkiakut, ndërsa KAS rrëzoi vendimin e institucionit.
“Jam pranë KQZ, me kërkesën e dytë për mbledhje urgjente për shkarkimin e Kreshnik Hajdarit, kryetar i bashkisë së Kuçovës. Kërkojmë pavlefshmërinë e mandatit të tij, të cilin do ta ndjekim deri në Kolegj zgjedhor, madje nëse do të ketë pengesë, me padi, kërkesë të re në SPAK. Kemi kërkuar zgjerim të hetimit administrativ, KQZ dhe të kërkojë informacion për statusin e Hajdarit. Të rivlerësojë dokumentacionin e Koalicionit ‘Bashkë fitojmë’ për dënimin penal grek për Hajdarin. Të merren masa për shpallje të paligjshme të mandatit të kryetarit të bashkisë. I drejtohemi kryekomisionerit që nëse sot do të paraqitej një kandidat i dënuar me vendim të formës së prerë, a do e lejonit kandidimin e tij? A ju bind sot vendimi penal i SPAK, që dënoi Hajdarin?
U bënë mbi 3 vjet që u ble kohë për shkak të ndërhyrjes oligarkike dhe parave të pista. Ju e dini që ne kemi kërkuar shkarkimin dhe moskandimimin e Hajdarit në 2023-in. KQZ e çoi për hetim të thelluar rastin dhe erdhi e njëjta përgjigje, por Komisioni Qendror i mbrojti Hajdarin. Ne e çuam në KAS, që rrëzoi vendimin e KQZ. Bejteje ime është që t’i kthejë votën e lirë qytetarëve të Kuçovës. Këtë betejë do ta fitojmë dhe moralisht e kemi fituar. Qyteti i Kuçovës do të kthehet në kantier ndërtimi. Hajdari është i ikur përfundimisht, por në krye të Kuçovës të vihet një drejtues i denjë. Ligji dhe vetëm ligji do të mbizotërojë në këtë vend!”, tha Maliqi.
Lini një Përgjigje