Kryeministri tregon për herë të parë një episod me ish-presidentin Sali Berisha gjatë viteve të para të pluralizmit, në një takim ku ishte i pranishëm edhe piktori Gjelosh Gjoka.
Kryeministri Edi Rama ka treguar për herë të parë një episod nga viti 1992, që lidhet me një takim me ish-presidentin Sali Berisha, në fillimet e qeverisjes së Partisë Demokratike.
Në një intervistë për gazetarin Nikollë Lesi, Rama rrëfeu se gjithçka nisi pas kërkesës së piktorit të njohur shqiptar nga Mali i Zi, Gjelosh Gjoka, i cili dëshironte të takonte Berishën. Sipas Ramës, ai i kishte sugjeruar piktorit se vetëm përmes një ndërhyrjeje personale mund të sigurohej takimi.
Rama tregoi se i kishte dërguar një letër Berishës për të prezantuar artistin dhe për të kërkuar një takim në Presidencë. Sipas tij, përgjigjja kishte ardhur me një kusht të pazakontë: takimi do të zhvillohej vetëm nëse në takim do të ishte i pranishëm edhe vetë Rama.
Kryeministri tha se, megjithëse kishte hezitime për shkak të bindjeve të tij politike në atë kohë, pranoi të shoqëronte Gjelosh Gjokën në Presidencë.
Sipas rrëfimit të Ramës, gjatë bisedës Berisha kishte bërë komente kritike ndaj deputetëve të Partisë Demokratike të asaj kohe. Ai kujtoi se ish-presidenti ishte shprehur se në Parlament “janë të gjithë me lakrën e komunizmit në kokë”.
Rama tregoi gjithashtu se ishte habitur nga mënyra se si Berisha kritikonte bashkëpunëtorët e tij politikë, duke thënë se ai “i bëri copash” gjatë bisedës.
Në fund të rrëfimit, Rama e cilësoi episodin si surprizues për të, duke shtuar se ngjarja kishte ndodhur në vitin 1992, në periudhën e parë të qeverisjes demokratike pas rënies së komunizmit në Shqipëri.
Edi Rama: E di çfarë më ke kujtuar? Më ke kujtuar një episod që mbase ta kam thënë dhe mbase që publikisht do ta them për herë të parë se s’e kam thënë ndonjëherë, po disa njerëzve ia kam treguar. Në fillimet fare të pushtetit të Partisë Demokratike vjen në Tiranë Gjelosh Gjoka. Gjelosh Gjoka, piktor i famshëm shqiptar nga Mali i Zi që jetonte në Gjermani edhe kishte ëndërr të takonte Doktorin (Berishën), e kishte ëndërr. Edhe i them unë, shiko i thashë “vetëm po t’i çoj unë një kërkesë, ti mund ta takosh ndryshe s’ka për të takuar”.
“Jo”, tha “mos u ngatërro ti me këtë punë se ngaqë unë kisha ato pozicionet e mia te “Koha Jonë” edhe dihej puna ime”. “Okej”, i thashë ti e di! Mirëpo tentoi, tentoi, tentoi, nuk e realizoi dot, u dëshpërua. E më tha mua: – Ti ma the me shaka mua atë? Jo i thashë: – unë jam i bindur që po të kërkoj unë, ai të jep takim.
“Po provoje njëherë”, tha, edhe i bëj letër unë për Gjeloshin. Prezantimi kush është, çfarë e tjerë, e tjerë dhe ja çoi nëpërmjet dikujt që e di që e çonte në dorë. Edhe më vjen ai dikushi edhe më thotë: “Po ja dhashë thotë, po ai ka një kusht”. “Çfarë kushti”, i thashë? “Ai mund ta presi Gjeloshin po të jesh dhe ti me të”.
I thashë: Unë? “Jo”, tha: – Kështu tha! “Po të vij bashkë me të”, tha “unë e pres!”. Edhe i them Gjeloshit, “dëgjo kjo është një çik e vështirë për mua tani të shkoj të takoj atë. Se takoj atë unë! Dava komunisti”. Tha: “Jo ky është rasti që ti duhet të vish patjetër”, e tjera e të tjera “ai po të fton e ç’rëndësi ka”.
T’i biem shkurt shkojmë të dy atje tek Presidenca, në zyrë me Gjelosh Gjokën surprizë. Edhe ulemi aty, ai i fliste i Gjeloshit unë fare. Por ndërkohë fliste që të dëgjoja unë kuptohet!
Edhe i thotë “profesor këto ditë që ke qenë këtu e ke parë ndonjëherë parlamentin?” Parlamenti ishte komplet PD atje, ke parasysh Parlamenti i parë në mbas ‘92 ishte, “e ke pa ndonjëherë parlamentin?”. Gjelosh ia futi kot “e kam parë tha!” –“Po si duket” i tha? “Po mirë tha fillimet janë tha mirë është! “Çfarë mirë? Si mirë? Ku ka mirë aty”, tha. Ou thashë unë, po çfarë po thotë ky!
“S’ka mirë aty”, tha. “Aty janë të gjithë me lakrën e komunizmit në kokë” – tha. Se s’dua të them gjithë detajet se foli dhe me emra që unë u habita fare, i ra atyre të vetëve, i bëri copash edhe çohet nga tavolina edhe shkon merr Koha Jonë. E kishte mbi tavolinë. “E shikon këtë ti”, – tha. Unë aty. I thoshte atij, – “këtu është ajka e trurit të këtij vendi”.
“Po në vend – tha – që të punojmë për këtë vend dhe të më ndihmojnë dhe të mbështesin këto procese, rrinë atje, edhe bëjnë gërr-gërr-gërr gjithë kohës dhe ankohen për ata”, tha. Për këta të vetët. “Kanë të drejtë”, tha “po ku t’i gjej unë, se mos vijnë këta”, tha. Unë thashë ky qenka një mashtro i një niveli më të lartë se s’ka mundësi. Kjo ishte në 1992.
Lini një Përgjigje