TAGS-AT E JAVËS

Politike13 Maj 2026, 22:13

“Sot nuk hyn asnjë ambasador në PD”, Salianji ironizon Berishën: Bën sikur ka kontakte

Shkruar nga Pamfleti
“Sot nuk hyn asnjë ambasador në PD”, Salianji ironizon
Ervin Salianji

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka vijuar kritikat ndaj Sali Berishës, duke deklaruar se kreu i PD-së nuk gëzon mbështetje reale brenda partisë dhe se drejtimi i tij po e mban opozitën larg fitores.

Në një intervistë për "Report Tv", Salianji deklaroi se mbështetja ndaj Berishës brenda selisë blu lidhet më shumë me interesa dhe privilegje personale sesa me bindje politike.

“Më thoni një njeri pa rrogë në PD që thotë fiton Berisha. Ka një lidhje privilegji diku dhe ai mbron privilegjin e vet. Po të sjell unë ata që më ndjekin mua, do të thonë fitoj unë”, thotë Salianji.

Ai akuzoi gjithashtu Berishën për uzurpim të Partisë Demokratike teksa shtoi se me të në krye, PD nuk ka asnjë mundësi të vijë në pushtet.

“Partitë politike dhe debati publik bëhet, e ka uzurpuar ky zotëria apo jo. Unë po e uzurpoj thotë ai për interes personal. Unë kam interes që PD të bëhet fituese. Bëhet fituese me Sali Berishën? As sot, as kurrë. Është pengmarrje, patjetër. Të shkoj unë të prodhoj një situatë që s’nderon asnjërin si në 8 janar? E bëj që nesër”, thotë Salianji.

Sipas ish-deputetit demokrat, drejtimi i PD-së nga Berisha ka sjellë edhe izolimin e partisë nga faktori ndërkombëtar, duke pretenduar se ambasadorët dhe përfaqësuesit e huaj shmangin selinë blu.

“Do të vazhdojmë paralelisht derisa të zgjidhet me votë. Do të vazhdoj takimet. PD, sot për shkak se ka kryetar këtë zotërinë, nuk hyn ndonjë ambasador. Takojnë gjithë të tjerët, edhe unë kam kontakte me faktorët ndërkombëtarë. Sot nuk hyn asnjë. Takon ndonjë njeri që ka shok në Gjermani, e hedh ky sikur ka takime”, tha Salianji.

Deklaratat e tij vijnë në një moment tensioni të shtuar brenda Partisë Demokratike, pas debateve për drejtimin e partisë dhe procesin zgjedhor të 23 majit.

ish-deputeti i partisë demokratike ervin salianji sali berisha

Lini një Përgjigje