TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Maj 2026, 08:59

Financimi i partive, OSBE vendos ‘vijat e kuqe’/ Nga donacionet te transaksionet, si do kalohen në site burimet financiare

Shkruar nga Pamfleti

Përfitimi i fondeve publike kushtëzohet me dorëzimin në kohë të raporteve financiare nga partitë politike. Për më tepër, parashikohet edhe një bonus shtesë prej 5% për subjektet që promovojnë barazinë gjinore dhe përfshirjen e të rinjve në strukturat e tyre.

Financimi i partive, OSBE vendos ‘vijat e kuqe’/ Nga donacionet te
OSBE/ODIHR

OSBE/ODIHR ka publikuar një opinionin urgjent për projektligjin e ri “Për financimin e partive politike” në Shqipëri.

Sipas dokumentit, ODIHR thekson se projektligji krijon një strukturë më të detajuar për të ardhurat, financimet dhe shpenzimet e partive politike.

Një nga risitë kryesore është krijimi i Platformës Elektronike të Raportimit, që synon publikimin në kohë reale të të dhënave financiare.

Projektligji parashikon gjithashtu forcimin e rolit të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në auditimin dhe monitorimin e financave partiake. ODIHR vlerëson edhe kufizimet më të forta për transaksionet cash, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm.

Ndërkohë, një fond prej 5% i grantit publik propozohet të përdoret për promovimin e barazisë gjinore dhe pjesëmarrjes së të rinjve në politikë. Pavarësisht vlerësimeve pozitive, ODIHR paralajmëron se projektligji nuk mbron mjaftueshëm nga financimet indirekte dhe “donatorët fiktivë”, që mund të përdoren për të shmangur kufijtë ligjorë të donacioneve. Ekspertët kërkojnë gjithashtu më shumë transparencë për pronarët realë të kompanive donatore, rregulla të qarta për huatë politike dhe sanksione proporcionale për shkeljet financiare.

Sipas raportit, suksesi i reformës do të varet nga fuqizimi i KQZ-së me burime dhe kompetenca hetimore, ndërsa opinioni vjen në një moment kyç për integrimin europian të Shqipëria dhe luftën kundër korrupsionit.

Projektligji për financimin e partive politike, Kuvendi kërkon opinion në ‘Venecia’ 

Ndërkohë dje Komisioni i Venecias ka njoftuar se më 13 maj, se kryetari i Kuvendit Niko Peleshi i është drejtuar zyrtarisht me një kërkesë për opinion në lidhje me projektligjin “Për financimin e partive politike”.

Kjo kërkesë lidhet me një draft të ri që synon të rregullojë në mënyrë të detajuar mënyrën sesi financohen subjektet politike në Shqipëri, si nga burimet private, ashtu edhe nga fondet publike.

Sipas njoftimit, përmes një shkrese të datës 27 prill 2026, Peleshi ka kërkuar vlerësimin e Komisioni i Venecias mbi këtë projektligj, i cili pritet të kalojë për diskutim dhe miratim në Sesionin e 147-të Plenar të institucionit më 12–13 qershor 2026. Drafti është hartuar pas një dakordësimi mes dy forcave kryesore politike në vend dhe synon të vendosë rregulla të reja dhe më të rrepta për financimin e partive.

Projektligji parashikon një sërë kufizimesh të forta mbi burimet e lejuara të financimit. Në listën e subjekteve të ndaluara për të dhuruar para për partitë përfshihen kompanitë që kanë kontrata koncesionare ose marrëveshje PPP me shtetin, bizneset e lojërave të fatit, si dhe ato që operojnë në fushën e kriptomonedhave. Po ashtu, ndalohet financimi nga organizata të huaja, institucione qeveritare apo joqeveritare të huaja, donatorë anonimë, organizata fetare, sindikata dhe organizata humanitare apo joqeveritare.

Gjithashtu, projektligji përjashton nga e drejta për të financuar partitë edhe individët e dënuar për vepra të rënda penale, si korrupsioni, pastrimi i parave, krimi i organizuar, trafiku i drogës dhe krimet zgjedhore.

Sa i përket kufijve të financimit, drafti përcakton që qytetarët e thjeshtë mund të dhurojnë deri në 200 mijë lekë në vit për një parti politike. Personat fizikë me NIPT mund të kontribuojnë deri në 500 mijë lekë në vit, ndërsa kompanitë deri në 1 milion lekë në vit.

Çdo donator, në momentin e dhurimit, duhet të firmosë një deklaratë ku konfirmon se nuk ndodhet në asnjë nga kategoritë e ndaluara nga ligji dhe mban përgjegjësi të plotë ligjore për çdo deklarim të pasaktë.

Projektligji rregullon gjithashtu financimin publik të partive politike përmes një Fondi Publik Vjetor, i cili nuk mund të jetë më i ulët se niveli i vitit të mëparshëm gjatë viteve jozgjedhore. Fondet shpërndahen sipas disa kritereve: 70% sipas numrit të deputetëve në Kuvend, 20% në mënyrë të barabartë për partitë parlamentare dhe ato që kanë marrë mbi 10 mijë vota, dhe 10% sipas përqindjes së votave për partitë që kalojnë pragun 1%.

Përfitimi i fondeve publike kushtëzohet me dorëzimin në kohë të raporteve financiare nga partitë politike. Për më tepër, parashikohet edhe një bonus shtesë prej 5% për subjektet që promovojnë barazinë gjinore dhe përfshirjen e të rinjve në strukturat e tyre.

Drafti parashikon masa të ashpra ndëshkuese për shkelje të mundshme të ligjit, përfshirë gjoba të konsiderueshme financiare për partitë që nuk respektojnë afatet e raportimit ose shkelin rregullat e financimit, me penalitete që mund të arrijnë në miliona lekë./ Pamfleti

osbe/odihr financimi i partive osbe vendos ‘vijat e kuqe’

Lini një Përgjigje