Kuvendi pritet të përfshihet nga debatet në seancën e sotme, ndërsa janë një seri çështjesh në rendin e ditës, kryesisht interpelanca.
Sipas rendit të ditës, fillimisht deputetët do të miratojnë procesverbalin e seancës plenare të datës 7 maj 2026, ndërsa më pas pritet të ketë njoftime parlamentare.
Në fokus të seancës do të jetë mocioni për debat lidhur me problematikat e konstatuara në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri, si edhe gjetjet e progresraportit të Komisionit Evropian “Për procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.
Opozita dhe mazhoranca pritet të përplasen në Kuvend, ndërsa deputetët e PD akuzojnë Kryeministrin Edi Rama për bllokimin e integrimit në BE për shkak të skandaleve qeveritare.
Po ashtu, Kuvendi pritet të zhvillojë disa interpelanca me anëtarë të kabinetit qeveritar. Deputeti Tritan Shehu ka kërkuar interpelancë me Kryeministrin Edi Rama, ndërsa deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri kanë kërkuar interpelancë me zëvendëskryeministren Albana Koçiu.

Në rend dite janë përfshirë edhe interpelanca me ministrin e Financave, Petrit Malaj, të kërkuar nga deputeti Enno Bozdo, si dhe me ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, të kërkuar nga deputeti Erion Braçe.
Gjithashtu, deputetët Erion Braçe, Agron Shehaj dhe Erald Kapri kanë kërkuar interpelanca me ministrin e Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.
Seanca pritet të mbyllet me diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
Lini një Përgjigje