TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Maj 2026, 14:59

President Begaj takim me Admiral George M. Wikoff: SHBA dhe NATO, të domosdoshme për rajonin

Shkruar nga Pamfleti

President Begaj takim me Admiral George M. Wikoff: SHBA dhe NATO, të

Presidenti i Republikës vlerësoi Admiralin George M. Wikoff për mënyrën se si po drejton Komandën e Forcës së Bashkuar në Napoli në një periudhë të ndërlikuar gjeopolitike, duke theksuar rolin kyç të kësaj komande në garantimin e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në rajon.

Gjatë takimit u diskutua edhe partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ky partneritet strategjik është shumë i çmuar për Shqipërinë dhe ka qenë transformues për Forcat e Armatosura Shqiptare”, u shpreh Presidenti i Republikës, i cili nënvizoi se prania amerikane dhe ajo e NATO-s në rajon mbeten të domosdoshme për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin.

Duke iu referuar situatës aktuale të sigurisë, të ndikuar nga konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, Kreu i Shtetit theksoi nevojën për më shumë angazhim dhe investime në mbrojtjen kombëtare dhe atë kolektive.

“Në këtë drejtim Shqipëria është e angazhuar në forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve mbrojtëse dhe modernizimit të Forcave të Armatosura si edhe për rritjen e kontributit në Aleancë”, tha Presidenti Begaj.

Në fokus të bisedimeve ishin edhe nismat rajonale për sigurinë dhe zhvillimin. Presidenti falënderoi SHBA-të dhe Komandën e Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli për mbështetjen në përfshirjen e Korridorit VIII në korridoret e reja të lëvizshmërisë strategjike.

“Korridori VIII ka një rëndësi strategjike për Shqipërinë, rajonin dhe NATO-n jo vetëm për sigurinë dhe fushën e mbrojtjes, por edhe për forcimin e marrëdhënieve të vendeve në rajon dhe është një investim në stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit”, vlerësoi Kreu i Shtetit.

Presidenti Begaj ndaloi gjithashtu te rëndësia e angazhimit të vazhdueshëm të SHBA-ve në misionin e KFOR-it, duke theksuar rolin e tij në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Në përfundim të takimit, Presidenti siguroi Admiralin George M. Wikoff se Shqipëria do të vijojë të mbetet e përkushtuar ndaj partneritetit strategjik me SHBA-në dhe ndaj Aleancës së NATO-s.

Lini një Përgjigje