Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj pretendimeve për një marrëveshje të mundshme mes tij dhe kryeministrit Edi Rama, duke i cilësuar ato si propagandë dhe përpjekje për të rehabilituar imazhin e kreut të qeverisë.
Në një bashkëbisedim me qytetarët, Berisha deklaroi se këto akuza synojnë të krijojnë perceptimin se kundërshtarët politikë janë të njëjtë, ndërsa theksoi se nuk ekziston asnjë fakt që i mbështet këto krahasime.
“Tani që është demaskuar para shqiptarëve dhe botës, thotë që edhe Berisha është njësoj si Rama, në një kohë kur nuk japin dot një argument, një fakt të vetëm që mund të krahasojë këta dy persona. Në asgjë dhe në asnjë fakt”, tha ai.
Berisha u shpreh gjithashtu se Rama nuk ka arritur ta mposhtë politikisht dhe ka përdorur mënyra të ndryshme për ta goditur.
“Edi Rama nuk e mposht dot Sali Berishën, u përpoq me të gjitha mënyrat, të arkivonte politikisht, u përpoq me atentate fizike, me çdo mënyrë, dështoi dhe do dështojë”, tha ai.
Berisha i cilësoi pretendimet për marrëveshje si të pabazuara, duke i quajtur pjesë të një “logjike primitive”.
Më tej, ai akuzoi kryeministrin për kontroll mbi median dhe përpjekje për të manipuluar opinionin publik. Në përfundim, Berisha sfidoi kritikët të paraqesin prova konkrete për krahasimet mes tij dhe kryeministrit.
"Është një logjikë primitive sipas së cilës Edi Rama arrestoi Sali Berishën, por nuk e ka arrestuar. Sipas të cilës Edi Rama loboi me të gjitha paratë e tij për sanksionimin e Sali Berishës, por nuk e ka bërë këtë. Çfarë ndodh, pse kjo propagandë?
Duan të mirësojnë figurën e nxirë të Edi Ramës, të krahasojnë të pakrahasueshmet. Është e vërtetë kjo, por unë i kam thënë shqiptarëve që mafia më e rrezikshme se ajo e kokainës është ajo e fjalës së lirë dhe atë e ka në dorë Rama.
Tani që është demaskuar para shqiptarëve dhe botës, thotë që edhe Berisha është njësoj si Rama, në një kohë kur nuk japin dot një argument, një fakt të vetëm që mund të krahasojë këta dy persona.
Në asgjë dhe në asnjë fakt. I vetmi fakt është se Edi Rama nuk e mposht dot Sali Berishën, u përpoq me të gjitha mënyrat, të arkivonte politikisht, u përpoq me atentate fizike, me çdo mënyrë, dështoi dhe do dështojë, dhe ata të cilët bëjnë këtë krahasim duan të përmirësojnë sadopak figurën e nxirë të Edi Ramës. Unë ju pyes ju, më thoni mua qoftë dhe një fakt ku mund të krahasohemi.", tha Berisha.
Lini një Përgjigje