
Kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj tha se kryeministri Edi Rama ka kërcënuar prokurorët e SPAK. Duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Rama i cili tha “E të mos bëjnë gabim të vinë të kërkojnë telefonin tim, se kanë mbledhur telefonat e gjithë Shqipërisë, të shkojnë e të merren me faktet”, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS, Shehaj tha se ai ishte një mesazh i qartë kërcënimi.
“Si mund të kërcënosh ti kryetarin e SPAK apo prokurorët, ti thuash mos guxoni të merrni telefonin tim, kur detyra e tyre është të marrin telefonin e Ramës. E vendos gjykata nëse nuk duhet marrë telefoni. Mesazhi ishte i qartë, se tha “SPAK ka dalë nga shinat e kushtetutës, na votoni në 11 maj se ne do e rikthejmë SPAK-un në shina”, pra do e marrin prapë nën kontroll dhe SPAK nuk do guxojë ti arrestojë”, tha Shehaj në emisionin “Now” në “Euronews Albania”.
Nga ana tjetër juristi Jordan Daci tha se mesazhi i kryeministrit Rama nuk ishte “kërcënim nga SPAK”, megjithatë ai shtoi se asnjë nga palët në politik nuk kanë ndërmend të zgjasin mandatin prokurorëve të posaçëm.
“Një pjesë prej tyre u mbaron mandati. Do vijnë prokurorë të tjerë. SPAK-u ka sjellë një risi e ca teste që i ka kaluar se shumë gjëra që më parë dukeshin të paimagjinueshme, por SPAK për nga natyra nuk ka të dytë si institucion në botë, e nuk do të jetë i përjetshëm si institucion”, tha Jordan Daci.
Lini një Përgjigje