Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë fjalës së tij para Kryeministrisë, deklaroi se kjo është një javë vendimtare.
Berisha tha se protesta e sotme i paraprin asaj të 24 janarit, e cila, sipas tij, do të jetë protesta më e madhe dhe vendimtare, që do të sjellë zemërimin më të madh të shqiptarëve.
Kreu i PD theksoi se qytetarët janë duke e pritur me padurim ditën e protestës kombëtare kundër narkoshtetit.
“Kjo protestë dëshmon qëndresën tonë për t’u përballur me këtë narkoqeveri, me këtë organizatë kriminale, armike e betuar e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, për t’u përballur deri në largimin përfundimtar nga skena të këtij regjimi, i cili ka shpërfytyruar dhe po shpërfytyron Shqipërinë dhe shqiptarët. Kjo protestë e kësaj jave ka një rëndësi të veçantë, pasi kjo javë është përcaktuese për 24 janarin, protestën më të fuqishme që ka njohur Tirana ndonjëherë, zemërimin më të fuqishëm të shqiptarëve.
Ndaj secili këtë javë, këto ditë, secili nga ne dhe çdo opozitar, të bëjë gjtihçka, të mos i mungojë Shqipërisë më 24 janar. Të mos i mungojë lirisë më 24 janar. Të mos i mungojë guximit qytetar më 24 janar. Të mos i mungojë dinjitetit njerëzor më 24 janar.
Miq, mbarë bota po pret fjalën tonë, zërin tonë, guximin tonë, veprimin tonë. Ngjarje të mëdha, protesta e dhjetorit ushtoi fuqishëm në mbarë botën. Zëri juaj u dëgjua në katër anët e planetit”, tha Berisha mes të tjerash.
Lini një Përgjigje