Nisi dhe u mbyll me tensione seanca e parë plenare në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2026.
Mbyllet mes kaosit dhe tensioneve seanca e parë parlamentare, e cila ka zgjatur 20 minuta.
Kuvendi është përfshirë nga debate dhe tensione që në nisje të seancës. Prania e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ka sjellë edhe protestën e deputetëve të opozitës, të cilët u shprehën se Balluku duhet të kishte dhënë dorëheqje dhe se duhet të ishte përballur me drejtësinë.
Deputetët e opozitës u ngritën nga karriget dhe u afruan pranë foltores, në momentin kur kryetari i seancës, Niko Peleshi nisi fjalën përshëndetëse.
Situata është përshkallëzuar shpejt, teksa kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, së bashku me deputetë të tjerë të PD-së, bllokuan foltoren.
Kërkesa e opozitës është shoqëruar me thirrje dhe ndërhyrje të vazhdueshme, duke e bërë të pamundur zhvillimin normal të seancës.
Pavarësisht situatës, Niko Peleshi ka vijuar fjalën e tij, ndërsa paralelisht ka ndërhyrë edhe Sali Berisha, duke folur nga vendi i tij dhe duke shtuar tensionin në sallë.
Ata e cilësuan si provokim ndaj qytetarëve praninë në sallë të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Gazment Bardhi i është drejtuar Peleshit, duke i thënë se ka shkelur ligjin duke u bërë mburojë e një të korruptuareje. “Dorëzoja Ballukun drejtësisë”, u shpreh Bardhi.
Pas tij, fjalën e mori kreu i PD Sali Berisha teksa përsëriti thirrjen për të sjellë në Kuvend kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut.
“Emri juaj është Lubi, mbiemri juaj është Balluku. Respektoni rregulloren dhe Kushtetutën. E thotë SHBA dhe Komisioni i jashtëm Evropian”, tha Berisha.
Ndërsa Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka paralajmëruar opozitën se PS do të vijojë e vetme reformat nëse ata nuk bëhen pjesë.
Balla u shpreh se nuk do të ketë pritje për ta, teksa u ndal dhe te ftesa e Trump ndaj Ramës për të qenë te Bordi i Paqes. Ai e cilësoi ftesën si një vlerësim për Shqipërinë dhe për emrin e shqiptarëve në botë, ndërsa sulmoi qëndrimet e opozitës, të cilat sipas tij, kanë kaluar nga mohimi tek përpjekja për të minimizuar rëndësinë e ngjarjes.
“Në fillim thanë nuk ka ftesë. Pastaj kërkuan ta shohin. Më pas e krahasuan me presidentin e Paraguajit. Por në Ballkanin Perëndimor, nuk është ftuar askush tjetër. Kjo nuk është rastësi. Kjo është partneritet”, tha Balla.
Teksa opozita nuk ka pranuar që të ulen në karriget e tyre dhe të vijojë seanca, Peleshi me kërkesë të kreut të grupit parlamentar të PS ka hedhur në votim projektligjet, të cilat janë miratuar me votat e PS.
Lini një Përgjigje