Shkrimtarja dhe përkthyesja Helena Kadare, në një intervistë televizive përveç se ka folur për karrierën e saj, ka treguar edhe jetën familjare me shkrimtarin Ismail Kadare dhe dy vajzat. Në një rrëfim shumë personal, Helena ndau shumë detaje dhe të pathëna. Mes të tjerash ajo zbuloi “Në Kurthin e Piter Pan” arsyen se përse bashkëshorti i saj nuk i ka dhuruar një unazë.
“Nuk më ka dhuruar sepse ne ishim një brez që e quanim veten shumë modern, duke i përjashtuar këto zakone. Ishin ca zakone konservatore jashtë shijeve tona”, është shprehur Helena.
Ajo tregoi se para se ta takonte dhe të dashurohej me të, i njihte të gjitha poezitë e shkrimtarit, ndërkohë që Ismaili nuk e njihte fare.
“Ai mori çmimin e Republikës, unë isha nxënëse në gjimnaz dhe të gjithë e dinin që i dija përmendësh të gjitha poezitë e tij dhe më kishin shtruar fotot e tij të gazetës. Ai nuk më njihte fare. Unë botova një tregim te ‘Zëri i Rinisë’. Ai ishte në Moskë, kishte përfunduar studimet këtu dhe kishte shkuar për specializim. Atje shkonin gazetat shqiptare në një hotel në Moskë. Ai pa këtë tregim dhe më bëri 3 rreshta (ku më shkroi): “Lexova tregimin tuaj, shkruani dhe mos u trembni”. I gjithë gjimnazi e mori vesh këtë gjë që erdhi kjo letër. Pastaj, kur erdhi në Shqipëri, u njohëm rastësisht në rrugë”, u shpreh Helena.
Lini një Përgjigje